Politikë
118-vjetori i Kongresit të Manastirit: Qeveria e Kosovës përkujton arkitektët e alfabetit shqip
Reklamë e Sponsorizuar
Në përvjetorin e 118-të të Kongresit të Manastirit, Qeveria e Kosovës ka shprehur nderimin e saj të thellë për figurat e shquara atdhetare dhe intelektuale, të cilët përmes njësimit të alfabetit, vendosën gurthemelin e bashkimit kombëtar dhe zhvillimit arsimor e kulturor të shqiptarëve.
Ekzekutivi kosovar ka shprehur mirënjohje për personalitetet historike që udhëhoqën këtë proces madhor, duke veçuar Mithat Frashërin, kryetar i Kongresit, dhe Gjergj Fishtën, në krye të Komisionit të Alfabetit. Po ashtu, janë nderuar kontributet e çmuara të Parashqevi Qiriazit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Shahin Kolonjës, Gjergj Qiriazit, si dhe të gjithë delegatëve të tjerë pjesëmarrës.
Një vlerësim i veçantë i është dedikuar përkushtimit të Sevastie Qiriazit dhe familjes Qiriazi, si dhe rolit kyç të klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe shoqërive të tjera shqiptare, të cilat u bënë shtylla mbështetëse për realizimin e kësaj vepre historike.
Në mesazhin e përcjellë, theksohet se Kongresi i Manastirit shërbeu si dëshmi e fuqisë së dijes dhe organizimit në shërbim të lirisë. “Dallimet u kapërcyen në emër të një qëllimi të përbashkët që shqiptarët të mësonin, të shkruanin dhe të ndërtonin të ardhmen në gjuhën e tyre,” thuhet në deklaratë.
Qeveria ka ritheksuar se përgjegjësia e tanishme qëndron në kultivimin e kësaj trashëgimie përmes arsimit publik cilësor, mbështetjes për mësimdhënësit, nxitjes së shkencës, si dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucione dhe mërgatë. Mesazhi përfundon me thirrjen që bashkimi i nisur përmes shkronjave të vijojë të forcohet përmes dijes dhe mundësive të barabarta për të gjitha gjeneratat.
Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i Alfabetit, u mbajt nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, me qëllim standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ky organizim ishte jetik, pasi deri në atë periudhë, gjuha shqipe shkruhej përmes gjashtë alfabeteve të ndryshme, pa përfshirë nënvariantet e shumta që ekzistonin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: