Sport
Skandal në Kategorinë e Parë: Kukësi denoncon dhunën fizike ndaj lojtarëve në Orikum
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi i Kukësit ka reaguar ashpër pas incidenteve të rënda të ndodhura gjatë përballjes së javës së 11-të ndaj Orikut, sfidë e cila përfundoi me rezultatin 1-0 për vendasit. Verilindorët kanë denoncuar publikisht ushtrimin e dhunës fizike ndaj futbollistëve dhe stafit të tyre, duke bërë të ditur se tashmë çështja ka kaluar në duart e autoriteteve policore.
Sipas njoftimit zyrtar, incidenti nisi në momentin kur skuadrat po largoheshin drejt dhomave të zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë. Një lojtar i KF Orikut dyshohet se ka nisur një konfrontim fizik dhe verbal me stafin teknik të Kukësit, situatë e cila degjeneroi me shpejtësi pasi në sherr u përfshinë edhe lojtarë të tjerë vendas. Si pasojë, disa futbollistë të Kukësit kanë pësuar dëmtime fizike të dukshme.
Klubi verilindor bën me dije se në ato momente i janë drejtuar delegatit të ndeshjes, Sabri Kalleshi, dhe vëzhguesit Arjan Mali, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të takimit për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë dhe shkeljes së parimeve të 'Fair Play'-t. Megjithatë, zyrtarët e ndeshjes kanë këmbëngulur për vazhdimin e lojës, duke kërcënuar Kukësin me masa disiplinore dhe humbje në tavolinë nëse refuzonin të riktheheshin në fushë.
Duke e konsideruar këtë situatë si të papranueshme, përfaqësuesit e Kukësit kanë depozituar një kallëzim penal në Stacionin e Policisë në Orikum, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Gjithashtu, klubi i ka dërguar një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke kërkuar shqyrtim të paanshëm, analizimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave të ashpra disiplinore për të gjithë personat e përfshirë në këtë akt dhune.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: