Kronikë
Mashtrim me sëmundje të rreme: Arrestohet personi që përfitoi gati 190 mijë euro nga bamirësit
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndaluar një person të identifikuar me inicialet E.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. I dyshuari akuzohet se ka inskenuar një gjendje të rëndë shëndetësore për të përfituar para në mënyrë të paligjshme.
Sipas hetimeve, që nga data 9 nëntor 2026, E.A. kishte pretenduar në mënyrë të rreme se vuan nga leukemia akute. Përmes një fushate në platformën ‘GoFundMe’, ai arriti të mbledhë shuma të konsiderueshme parash nga qytetarët në Kosovë dhe bashkatdhetarët në diasporë, duke u prezantuar atyre nevojën për shërim dhe rehabilitim.
Pas verifikimeve të kryera, autoritetet konstatuan se i dyshuari nuk vuante nga asnjë sëmundje e tillë. Shuma e përgjithshme që ai kishte arritur të grumbullonte përmes këtij mashtrimi kap vlerën prej 189 mijë e 206 euro e 8 centë.
Menjëherë pas denoncimit të rastit, organet e rendit ndërmorën veprime të shpejta, duke bllokuar të gjitha llogaritë bankare ku ishin depozituar mjetet e mbledhura. Pas një kërkimi policor, i dyshuari u prangos mbrëmë rreth orës 22:00.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, E.A. është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjilan është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila do t'i paraqitet Gjykatës Themelore në Gjilan brenda afateve ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: