Sport
Llapushniku nderohet me bustet e tre kolosëve të kombit shqiptar
Reklamë e Sponsorizuar
Në prag të festës së madhe të 28 Nëntorit, Llapushniku i Drenasit u bë qendra e një ceremonie solemne, ku u zbuluan bustet e tre figurave emblematike të historisë sonë kombëtare: Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij theksoi se ky akt është një nderim për mbarë kombin shqiptar. Sipas tij, vendosja e këtyre monumenteve e ka pasuruar dhe zbukuruar komunën e Drenasit, duke e bërë atë një vatër të vlerave të pashlyera historike. „Këto buste përfaqësojnë personalitete me të cilat historia jonë krenohet dhe të cilat janë të pashmangshme për identitetin tonë“, u shpreh Lladrovci.
Programi artistik u pasurua nga aktori Xhevat Limani, i cili solli një interpretim rrëqethës të poezisë „O flamur shkamb“, ndërsa sopranoja Besiana Qani Mehmeti performoi një vepër muzikore që i dha gjallëri kësaj ngjarjeje përkujtimore.
Në këtë ceremoni foli edhe Don Anton Uka, vikar ipeshkvor në Llapushnik. Ai nënvizoi rëndësinë e vendosjes së këtyre busteve në hapësirat e Kishës „Shën Abrahami“, duke potencuar se feja dhe atdheu shkojnë paralelisht. „Kjo kishë dëshmon se feja dhe atdheu nuk janë dashuri përjashtuese, por dy përgjegjësi që na orientojnë drejt shërbimit ndaj Zotit dhe njeriut“, deklaroi Don Uka.
Kujtojmë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) mbetet simboli i qëndresës 25-vjeçare kundër Perandorisë Osmane. Pjetër Bogdani (1630–1689), kryepeshkop i Shkupit dhe autor i veprës madhore „Çeta e profetëve“, është arkitekti i parë i prozës shqipe dhe shtylla e identitetit tonë kulturor. Ndërsa, komandanti Adem Jashari (1955–1998) përfaqëson sakrificën sublime për liri, duke dhënë jetën në Epopenë heroike të Prekazit në mars të vitit 1998.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: