Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Kostoja e jetesës në Kosovë: Inflacioni prek kuotën 7.8%, pagat humbasin fuqinë blerëse përballë çmimeve të larta

Redaksia Lajmetereja • 22-11-2026 14:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kostoja e jetesës në Kosovë: Inflacioni prek kuotën 7.8%, pagat humbasin fuqinë blerëse përballë çmimeve të larta
Vala e vazhdueshme e shtrenjtimit të produkteve po rëndon ndjeshëm buxhetin e familjeve në Kosovë. Megjithëse është shënuar një rritje e të ardhurave, pagat aktualisht po zhvlerësohen përballë hovit të inflacionit. Megjithatë, vala e çmimeve të larta nuk përbën të vetmin ngërç për ekonominë vendase, pasi largimi i trurit dhe i të rinjve, mungesa e krahut të punës dhe shkalla e lartë e joaktivitetit po ngrenë alarmin për të ardhmen demografike dhe ekonomike të vendit. Për të shtjelluar se sa është rritur realisht kostoja e përditshme, cili është peshimi i pagave aktuale dhe sa po e gjymton ekonominë ikja e qytetarëve, flet drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati. Sipas shifrave zyrtare që ai paraqet, inflacioni gjatë muajit shtator ka prekur shifrën e 7.8 për qind, po ta krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Mesataren nganjëherë nuk e tregon ndoshta një produkt të veçantë, sepse nxjerr një mesatare prej shumë produkteve. Na në përgjithësi e bëjmë në bazë të standardit që bën Bashkimi Evropian. Mostra në Kosovë, është pak më e madhe, për shkak specifikave, ndryshimeve urbane, rurale, ne e kemi rrit mostrën që me qenë më reprezentative për indeksin e çmimeve konsumit. Ne i grumbullojnë diku rreth 45 pika në gjithë Kosovën. Çmimet, merren, peshohen edhe në bazë të raportit që është fondi monetar, në fushën e statistikave të çmimeve, ka pasur një fokus, edhe është vërtetuar që statistikat, që i prodhon statistika janë në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar dhe Bashkimit Evropian. Tani, për disa produkte, për shkak se ne e prodhojmë indeksin e mesatar të çmimeve në baza mujore, edhe ne e krahasojmë me muajin para, të vitit paraprak. Po themi, shtatorin me shtator të vitit të kaluar. E kemi krahasuar tetorin me shtator, por nëse e krahasojmë shtatorin me shtatorin e vitit të kaluar, është 7.8 për qind, po në fund të vitit ndoshta edhe del 6.5 për qind, një mesatare. 13: 39 Por në përgjithësi, ka inflacion në Kosovë, edhe na e kemi mision për me i publikuar. Nëse hyjmë në çështje, të tjera, kush janë faktorë që ndikojnë, është çmimet në tregjet ndërkombëtare, sepse e dimë, Kosova e mbulon importin, e mbulon vetëm me 17 për qind mirëpo është për herë të parë që është rritur 17 për qind eksporti i Kosovës”, thekson Kastrati. Kreu i ASK-së ndalet gjithashtu te ndikimi i rritjes së çmimeve në xhepat e qytetarëve, duke bërë të ditur se paga mesatare bruto gjatë vitit 2025 ishte 713 euro, ndërsa ajo neto arriti në 636 euro. Ai shton se, pavarësisht se paga mesatare ka shënuar një ngritje prej rreth 100 eurosh në krahasim me vitin paraprak, ky ndryshim është zbehur tërësisht nga shtrenjtimi i shportës së përditshme. Sipas Kastratit, një pjesë e konsiderueshme e qarkullimit financiar në vend gjenerohet nga ekonomia informale, e cila llogaritet të jetë diku mes 20 dhe 35 për qind. Duke folur mbi funksionimin e institucionit që drejton, Kastrati bën të ditur se mbi 90 për qind e raporteve statistikore dalin në dritë brenda afateve të caktuara. Megjithatë, ai pranon se vonesat e herëpashershme ndodhin si pasojë e mosdorëzimit në kohë të të dhënave administrative nga dikasteret e tjera publike, si dhe nga sfidat e evidentuara gjatë regjistrimit në terren. Një tjetër pengesë serioze për ASK-në mbetet deficiti në staf. Siç shpjegon ai, ndonëse vëllimi i publikimeve statistikore është rritur me mbi 100 për qind gjatë dekadës së fundit, numri i punonjësve ka mbetur praktikisht i pandryshuar. Në përmbyllje, Kastrati veçon si tejet shqetësues nivelin e pasivitetit në tregun e punës, i cili në Kosovë mbetet mbi 50 për qind. Ai vlerëson se një pjesë e mirë e gjeneratave të reja nuk kyçen në aktivitete ekonomike, pasi vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga familjet e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar