Politikë
Republika Sërpska: Igor Dodik merr mandatin për formimin e kabinetit të ri qeveritar
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, i ka besuar zyrtarisht të dielën Igor Dodikut detyrën e mandatarit për krijimin e qeverisë së re në këtë entitet serb të Bosnje e Hercegovinës.
Igor Dodik është i biri i Millorad Dodikut, i cili udhëheq Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Gjatë një paraqitjeje për media, mandatar i ri u shpreh se është “i vetëdijshëm se do të duhet ta dëshmojë se e meriton besimin” që i është dhënë.
Në fokusin e punës së tij, ai ka vënë zhvillimin ekonomik dhe transparencën maksimale në funksionimin e institucioneve publike.
“Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi”, tha ai.
Lidhur me Bashkimin Evropian, ai theksoi se qasja e tij ndaj BE-së do të jetë e kushtëzuar nga shkalla e respektit që blloku evropian do të dëshmojë ndaj tyre.
Në fjalën e tij, ai i kushtoi rëndësi edhe bashkëpunimit me udhëheqjen e re në Serbi.
“Bashkëpunimi me Serbinë mike do të ketë një vend të veçantë në punën tonë të mëtejshme. Dëshiroj t’i vazhdojmë projektet e përbashkëta”, u shpreh Dodik.
Teksa pranoi se do të ketë “shumë sfida në planin e brendshëm dhe të jashtëm”, ai shtoi prerazi se “paragjykimet nuk i interesojnë”.
Aktualisht, Igor Dodik mban postin e sekretarit organizativ brenda strukturave të partisë SNSD.
Në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në fillim të muajit tetor të këtij viti, ai ishte bartës i listës zgjedhore të këtij subjekti politik për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.
Propozimi i tij si mandatar erdhi nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila doli forca fituese me më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Bosnje e Hercegovinë në fillim të tetorit.
Para zyrtarizimit të emrit të mandatarit, kreu i entitetit Miniq zhvilloi runde konsultimesh me përfaqësuesit e SNSD-së, ndërsa dy ditë më parë pati një takim edhe me krerët e partive opozitare.
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Banjallukë më 20 nëntor, Millorad Dodik kishte paralajmëruar se kreu i partisë kishte përcaktuar tashmë kandidatin për kryeministër, pa pranuar megjithatë që t'ia zbulonte emrin publikut.
“Kandidati për kryeministër është një person që pa dyshim gëzon mbështetjen unanime të SNSD-së. Ne, ashtu siç ka thënë edhe kandidati, pas zgjedhjeve do të dalim në terren. Kandidati i ka duart të lira për ta përbërë qeverinë. Ne e kuptojmë kohën që po vjen. Qeveria duhet të jetë profesionale, e re, efikase dhe e shpejtë, por, natyrisht, në duhet të ketë edhe njerëz me më shumë përvojë”, kishte deklaruar ai.
Pas propozimit zyrtar nga presidenti i Republikës Sërpska për kryeministrin e ri dhe kabinetin qeveritar, Kuvendi Popullor ka një afat kushtetues prej 40 ditësh për të votuar dhe zgjedhur qeverinë e re.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: