Politikë
Pas largimit nga kupola e socialistëve, Elisa Spiropali lëshon mesazhin e fortë: Më presin një kokë, më dalin shtatë
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka thyer heshtjen përmes një reagimi të zgjeruar në rrjetet sociale, vetëm pak ditë pas shkëputjes së saj nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.
Kujtojmë se më 14 nëntor, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, kreu i ekzekutivit, Edi Rama, kërkoi përjashtimin e saj dhe të deputetit Plarent Ndreca nga radhët e forcës politike. Edhe pse kjo nismë nuk kaloi në votim nga Asambleja, Spiropali përfundoi jashtë forumeve drejtuese të socialistëve.
"Ca që s'më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi. U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s'më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera", ka shprehur ajo në mesazhin e saj.
Spiropali ka theksuar se nuk ka ndërmend të bëjë hapa pas: "Unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia."
Pa përmendur emra konkretë, ajo ka vënë në shënjestër ata që i cilëson si "të keqen më të rrezikshme", duke i përshkruar si hajdutë dhe manipulatorë që hiqen si liberalë, kozmopolitë apo europianë, por që në thelb janë tiranë.
Në të njëjtin postim, ajo ka kritikuar mediat dhe portalet për shpifje e intriga, ndërsa ka ndarë me ndjekësit se preferon të lexojë libra ekskluzivisht në letër dhe jo në pajisje digjitale. Ndërkohë, ajo e ka krahasuar veten me figura historike si Perandoresha e Kinës dhe Kleopatra, duke shtuar se ka "10 milionë zemra të kuqe të përgjakura" për bashkatdhetarët kudo që ndodhen.
"Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafeneje", ka përmbyllur ajo shkrimin e saj, i cili brenda një kohe të shkurtër ka regjistruar mijëra pëlqime dhe komente.
Karriera politike e Spiropalit përfshin drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë nga korriku i vitit 2024 deri në shtator të vitit 2025, pas së cilës ajo mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme deri në shkarkimin e saj nga kryeministri Rama në shkurt të këtij viti. Që prej atij momenti, ajo është shndërruar në një ndër zërat më kritikë brenda lëvizjes socialiste, duke mos dhënë mbështetje për mbrojtjen që iu bë Belinda Ballukut ndaj kërkesave të SPAK-ut dhe duke i kërkuar Ramës një pakt të ri për vendin gjatë valës së protestave antigeveritare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: