Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Harmoni dhe emocione shqiptare në Nju Jork: Mbrëmja madhështore që bashkoi artin dhe diasporën

Redaksia Lajmetereja • 22-11-2026 11:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Harmoni dhe emocione shqiptare në Nju Jork: Mbrëmja madhështore që bashkoi artin dhe diasporën
Nju Jork, 20 nëntor 2026. Skena e metropolit amerikan u ndriçua nga një ngjarje e jashtëzakonshme artistike, ku Shoqata e Arsimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi një koncert recital ku u ndërthurën në mënyrë perfekte muzika e lehtë, popullore dhe klasike, si ajo shqiptare ashtu edhe ajo e huaj. Të pranishmit patën privilegjin të përjetojnë interpretime brilante nga katër personalitetë të njohura të skenës sonë: pianisti Genc Tukiçi, klarinetisti Igli Tuga, baritoni Kreshnik Zhabjaku dhe sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu. Kjo mbrëmje e veçantë mblodhi një audiencë të zgjedhur dhe të gjerë, e cila përfshinte diplomatë, gazetarë, si dhe aktivistë të shquar të komunitetit shqiptar dhe atij amerikan. Të pranishmit vlerësuan lart këtë nismë kulturore, e cila shërben si një urë e fortë për forcimin e marrëdhënieve mes dy komuniteteve. Nisma në fjalë u udhëhoq nga Albanian American Educators Association, me Drejtore Ekzekutive Jacqueline Kapaj Vieira. E lindur në Amerikë, ajo është me origjinë nga Shkodra prej prindërve të saj, të cilët u arratisën nga Shqipëria në vitin 1959 së bashku me dy fëmijët e tjerë të vegjël në atë kohë. E rritur, e shkolluar dhe e formuar në Shtetet e Bashkuara, Kapaj Vieira ka kontribuar fuqishëm jo vetëm në pasurimin e jetës kulturore të diasporës, por edhe në ndërtimin e një hapësire të rëndësishme dialogu dhe takimi mes artit, diplomacisë dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan. Tradita e organizimit të koncerteve të këtyre përmasave nga Albanian American Educators Association vazhdon me të njëjtin ritëm e përkushtim, duke sjellë para publikut artistë të spikatur nga të gjitha trojet shqiptare. Programi i kësaj nate u konceptua si një lidhje e fortë mes trashëgimisë kulturore kombëtare dhe repertorit ndërkombëtar, duke dëshmuar edhe një herë rolin bashkues të artit në promovimin e vlerave tona në SHBA. Më poshtë po sjellim një portretizim të shkurtër të artistëve që ngjitën skenën: Genc Tukiçi, pianist-koncertist dhe kompozitor franko-shqiptar, i formuar në Konservatorin e Tiranës dhe në École Normale de Musique de Paris. Ai njihet për stilin e tij të rafinuar, veprat origjinale, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe aktivitetin e tij të gjerë si solist dhe pedagog. Igli Tuga, klarinetist shqiptar me përvojë të pasur skenike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, i vlerësuar për talentin e tij të veçantë në muzikën klasike, popullore, xhaz dhe zhanre të tjera, si dhe për angazhimin e tij në ansamble dhe projekte të ndryshme muzikore. Kreshnik Zhabjaku, bariton i njohur me karrierë të spikatur operistike dhe koncertale në Shqipëri, SHBA dhe më gjerë, i shkolluar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në Mannes College of Music në Nju Jork, me interpretime në role kryesore operistike dhe gala koncerte. Dëshira Ahmeti Kërliu, soprano me përvojë të gjerë në repertorin klasik dhe operistik, e cila ka interpretuar në skena të rëndësishme të rajonit dhe më tej, duke sjellë në skenë finesë vokale dhe prezencë të spikatur skenike. Gjatë këtij organizimi, misionin dhe punën e shoqatës i prezantoi Jacqueline Kapaj Vieira, ndërsa anëtaret e bordit, Lucrezia Lindia dhe Nereida Katrini, ndanë me të pranishmit detaje nga prapaskenat dhe përgatitjet e koncertit me artistët shqiptarë. Repertori i mbrëmjes ndërthuri me mjaft elegancë kryevepra të muzikës klasike botërore me perla të trashëgimisë sonë muzikore, duke përcjellë tek spektatorët jo vetëm vlera të larta artistike, por edhe ndjenjën e krenarisë dhe identitetit kombëtar në zemër të diasporës. Në mbyllje të këtij eventi, duartrokitjet e gjata dhe ovacionet e publikut dëshmuan qartë se kur mjeshtrat e skenës shqiptare bashkohen, muzika shndërrohet në një mjet të fuqishëm emocioni, kulture dhe frymëzimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar