Sport
Përplasja e nxehtë në derbin e Sevijas: Antony shpërthen ndaj tribunave pas barazimit dramatik
Reklamë e Sponsorizuar
Derbi i zjarrtë i qytetit mes Sevijas dhe Real Betisit, i zhvilluar në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, ka dhuruar jo vetëm emocione në fushë, por edhe tensione të forta pas vërshëllimës përfundimtare. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1:1, pasi Kike Salas arriti të barazonte shifrat në minutat shtesë për vendasit, duke anuluar epërsinë e siguruar nga Antony në pjesën e dytë.
Antony, i cili kaloi Betisin në avantazh në fillim të fraksionit të dytë të lojës përmes një goditjeje të devijuar, ishte në qendër të vëmendjes gjatë gjithë sfidës. I vënë në shënjestër të tifozëve vendas përgjatë 90 minutave, sulmuesi nuk përmbajti dot emocionet pas përfundimit të takimit. Ai u kthye nga tribunat e stadiumit dhe iu drejtua tifozëve të Sevijas me fjalët: “Jeni shumë të dobët! Jeni vërtet të tmerrshëm!“.
Nga ana tjetër, protagonistët e Sevijas folën pas këtij barazimi dramatik në Nervion. Skuadra vendase dominoi pjesën më të madhe të lojës dhe krijoi raste të shumta, ku Kike Salas kishte një mundësi të mirë me kokë në pjesën e parë, para se të shënonte golin vendimtar në shtesë me një goditje të ulët që mposhti portierin Alvaro Valles.
Duke folur për kanalin zyrtar të klubit, autori i golit u shpreh se ndihet me emocione të përziera. “Ky gol është një shpërblim i vogël për punën e madhe të skuadrës, veçanërisht në pjesën e parë, kur e dominuam kundërshtarin dhe krijuam shumë raste. Nuk mund të largohemi të kënaqur. Mendoj se që nga fillimi dolëm në fushë me vendosmërinë për të fituar dhe kjo u pa qartë, por ndonjëherë topi thjesht nuk dëshiron të hyjë në portë“, u shpreh Kike Salas.
Ndërkohë, mesfushori Lucien Agoume ka hedhur poshtë kritikat e ardhura nga kampi kundërshtar, konkretisht ankesat e mbrojtësit të Real Betisit, Marc Bartra, i cili kishte vënë në pikëpyetje qëndrimin e Kike Salas në fushë pas një incidenti me Iscon dhe kishte kritikuar gjyqtarin Sanchez Martínez për menaxhimin e ndeshjes.
“Pse duhej të përjashtohej Kike Salas? Gjyqtari akordoi faull ndaj Iscos. Le të vazhdojnë të ankohen, ne nuk merremi me këtë“, u shpreh Agoume. Më tej, ai shtoi se gjykimi nuk ishte i drejtuar siç duhet, duke përmendur edhe ndëshkimin e tij me karton të verdhë që në minutën e 15-të për gjoja gjeste. “Të gjithë e panë se ne ishim më të mirë se kundërshtari, krijuam më shumë raste dhe gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes ishim superiorë. E meritonim fitoren“.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: