Kronikë
Evazion fiskal mbi 6 milionë lekë: Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen në ngarkim të artistes Xhensila Kallaku (Myrtezaj), e cila akuzohet zyrtarisht për veprën penale të fshehjes së të ardhurave.
Sipas organit të akuzës, në kuadër të procedimit penal nr. 5824, datë 2024, është arritur në përfundimin se e pandehura ka shmangur detyrimet tatimore në mënyrë të përsëritur gjatë periudhave të ndryshme kalendarike, duke mos deklaruar plotësisht të ardhurat e saj dhe duke kryer transaksione financiare të dyshimta.
Gjatë fazës hetimore, autoritetet zbuluan se këngëtarja ka realizuar transaksione me pasuri të paluajtshme përmes burimeve financiare të pajustifikuara, si dhe ka kryer depozitime dhe tërheqje të konsiderueshme parash në vlerë “cash”, për të cilat mungojnë informacionet mbi destinacionin e përdorimit.
Për të provuar burimin e këtyre derdhjeve monetare, e pandehura ka dorëzuar pranë autoriteteve një dokument të thjeshtë vetëdeklarimi, ku pretendonte se fondet vinin nga aktiviteti i saj artistik dhe koncertet e zhvilluara si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Shqipërisë, pretendime të cilat janë vlerësuar si të pambështetura në dokumentacion të rregullt.
Në mbështetje të aktit të ekspertimit kontabël të administruar në dosje, dëshmohet qartë se gjatë vitit 2023 ajo i ka shmangur shtetit një detyrim tatimor prej 2,417,311 lekësh, ndërsa për vitin 2024 shuma e evazionit fiskal të llogaritur nga ekspertët kap shifrën e 3,658,210 lekëve.
Prokuroria thekson se shmangia e detyrimeve është kryer në dy vite kalendarike të ndryshme, ku secili vit përbën një fshehje të qëllimshme dhe të pavarur të të ardhurave. Për këto arsye, çështja penale ndaj shtetases Xh.K., e cila akuzohet për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” të kryer më shumë se një herë, tashmë ka kaluar për shqyrtim në gjykatë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: