Sport
Rritja e MMA-së në Kosovë, Lirim Bllaca: Këtë edicion shënuam një hap të madh para në organizim dhe spektakël
Reklamë e Sponsorizuar
Sekretari i Federatës së Arteve Mikse Marciale (MMA) të Kosovës dhe njëherësh trajner në “038 Fight Club”, Lirim Bllaca, ka qenë i ftuar në një intervistë ku ka diskutuar mbi ecurinë e këtij sporti në vend, sukseset e kampionatit të dytë vendor, talentet premtuese dhe sfidat që presin ekipin kosovar në arenën ndërkombëtare.
Duke analizuar Kampionatin e dytë të MMA-së në Kosovë, i cili u zhvillua më 14 dhe 15 nëntor, Bllaca vuri në dukje se ngjarja e këtij viti solli një standard më të lartë organizativ dhe përformanca shumë më cilësore nga ana e sportistëve.
“Kemi parë më shumë spektakël, kemi sjellë më shumë mysafirë dhe eventi u transmetua drejtpërdrejt në YouTube, ashtu si në edicionin e kaluar. Jemi përpjekur ta bëjmë sa më atraktiv edhe për shikuesit që nuk e njohin thellësisht këtë sport, por që dëshirojnë të shijojnë një mbrëmje plot argëtim. Niveli i garuesve ishte dukshëm më i lartë, dhe në përgjithësi vlerësoj se i gjithë organizimi shënoi ngritje”, u shpreh Bllaca.
Vëmendje e veçantë gjatë këtij kampionati iu kushtua Ermal Berishës, i cili u kurorëzua sërish me çmimin prestigjioz “Fighter of the Night”, titull që e kishte fituar edhe në edicionin paraprak. Berisha, me origjinë nga Deçani, përfaqëson “038 Fight Club”, ndërsa trajneri i tij e cilëson si një nga figurat më me perspektivë në sportin luftarak kosovar.
“Sikurse vitin e kaluar, edhe kësaj radhe çmimi si garuesi më i mirë i kampionatit i takoi Ermal Berishës. Ermali është një djalë nga Deçani që mbron ngjyrat e ‘038 Fight Club’ dhe unë ndihem i privilegjuar të jem ndër trajnerët e tij. Ai është i jashtëzakonshëm sepse ka treguar një punë titanike. Përveç stërvitjeve vendase, gjatë verës ai është përgatitur në kampe stërvitore të UFC-së në Shqipëri, së bashku me Denis Buzukjen dhe luftëtarë të tjerë të njohur të UFC-së”, deklaroi ai.
Bllaca ka adresuar edhe sfidat e ardhshme, duke u ndalur te Kampionati Botëror, ku Kosova do të përfaqësohet me disa nga sportistët e saj. Ai ka paralajmëruar një konkurrencë jashtëzakonisht të ashpër, duke marrë parasysh masivitetin e pjesëmarrjes dhe traditën e gjatë që shtete të ndryshme kanë në sportet e luftës.
“Kampionati Botëror do të jetë një provë mjaft e vështirë për ne. Pritet të marrin pjesë rreth 1,000 garues, ndërsa shumë shtete kanë tradita të rrënjosura në disiplina si mundja, sambo dhe artet marciale. Atje ka sportistë që nisin stërvitjet që nga mosha 5 apo 6 vjeç, dhe në nivelin amator ata shfaqin aftësi të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për vende që për shumë prej nesh janë të vështira për t'u gjetur në hartë, si Kirgistani, Taxhikistani, shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Rusia, të cilat posedojnë programe të shkëlqyera në mundje e xhudo dhe performojnë shkëlqyeshëm. Megjithatë, djemtë tanë e kanë marrë këtë punë me shumë seriozitet, veçanërisht Ermali (Berisha), Muhamed Kashtanjeva dhe Dhurim Zenuni nga Ferizaji. Ata kanë zhvilluar përgatitje të pandërprera që nga viti i kaluar dhe jam i bindur se e kanë ngritur nivelin e tyre ndjeshëm”, theksoi Bllaca.
Artet Mikse Marciale (MMA) përfaqësojnë një nga disiplinat më dinamike dhe shpërthyese në botë, duke kombinuar shkathtësi nga boksit, mundja, xhudoja dhe brazilian jiu-jitsu.
Popullariteti i këtij sporti ka njohur rritje të jashtëzakonshme në shkallë globale, sidomos falë organizatave të mëdha si UFC, duke tërhequr gjithnjë e më shumë entuziastë dhe garues të rinj.
Edhe në Kosovë, MMA po shtrin ndikimin e saj me ritme të shpejta, e shoqëruar kjo me shtimin e klubeve sportive, numrit të luftëtarëve dhe cilësisë së organizimeve vendore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: