Sport
Çështja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, Rama sqaron qëndrimin e tij: S’dua t’i jap leksione askujt
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë sqarime shtesë lidhur me deklaratën e tij të mëparshme dhënë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), ku kishte shprehur bindjen se minoriteti bullgar duhet të gjejë vend në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp nga Qafë Thana me homologun e tij maqedonas, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se komentet e tij nuk synonin kurrsesi të shërbenin si këshilla apo udhëzime për autoritetet dhe qytetarët e shtetit fqinj.
Duke iu referuar procesit eurointegrues, Rama solli në vëmendje sakrificat e rëndësishme që ka kaluar Maqedonia e Veriut, përfshirë edhe ndryshimin e emrit zyrtar, ndërkohë që dinamika e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk ka ecur sipas premtimeve të dhëna.
“Jemi këtu për një zhvillim shumë pozitiv për miliona njerëz që e shfrytëzojnë këtë pikë kufitare dhe deri tani pyetje janë për të ngacmuar artificialisht plagë, që nuk ekzistojnë. Sa i përket konkretisht pyetjes së gazetarit të Alsat, dua të them se unë kam qenë në mënyrë të vijueshme një zë nganjëherë edhe i lartë të mbështetjes së afrimit të RMV në BE dhe asnjëherë nuk do ia lejoja vetes që t’i tregoja qeverisë apo popullit të RMV se çfarë duhet të bëjë.
Ajo së cilës ju i referoheni është përgjigja ndaj një pyetjeje të një gazetari në një televizion të bullgarisë, ku do shkoj për pak ditë në një vizitë, lidhur me pretendimin që ka Bullgaria në raport me RMV-në bazuar në një marrëveshje të bërë në mes të të dyja palëve dhe unë kam bërë një shpjegim më të gjatë sesa fjala pas së cilës janë kapur mediat në Maqedoni duke thënë se sa shumë sakrifica i është dashur të bëjë Maqedonia e Veriut dhe ka arritur të ndryshojë dhe emrin dhe prapë nga ana tjetër BE-ja nuk ka bërë atë që ka premtuar dhe kam shtuar që ata me të drejtë, pra pala maqedonase me të drejtë shqetësohet dhe dyshohet se mund të ketë përsëri diçka tjetër në rast se hedh këtë hap për të përfshirë në Kushtetutës pakicën bullgare, por nga ana tjetër kam shtuar se kjo veto mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht dhe normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjesht opinioni im dhe nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e RMV në BE”, u shpreh Rama.
Në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri shqiptar vlerësoi se me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, ndan raporte vëllazërore dhe se nuk ka divergjenca thelbësore që mund të dëmtojnë miqësinë mes dy shteteve.
“Mes meje dhe kryeministrit Mickoski nuk ka asnjë lloj dallimi substancial, qe e pengon miqësinë tonë, përkundrazi miqësia jo është një miqësi, e cila me kalimin e kohë bëhet shumë e qartë. Me sa unë kuptoj jemi të dy njerëz që themi atë që mendojmë dhe mendojmë atë që themi. RMV është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të të gjitha rrugët dhe mundësitë që të përfaqësohen. Kështu që unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrja e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër”, tha ndër të tjera ai.
Nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u shpreh se fjalët e homologut të tij ishin shkëputur nga konteksti origjinal, duke shtuar se temat e ngritura i përkasin debateve të brendshme politike.
“Rama e dha përgjigjen. Deklaratat nxirren nga konteksti. Janë pyetje të brendshme, jemi të vetëdijshëm për këtë. Ky është proces pozitiv e çdo gjë ndërtohet me besim, projekt i tillë është Korridori 8, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: