Sport
Humbja në Korçë, Nevil Dede: Askush nuk është i pavdekshëm, gëzohen kur na mundin
Reklamë e Sponsorizuar
Egnatia ka pësuar një humbje minimale 1-0 në transfertën përballë Skënderbeut, në takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Pas përfundimit të sfidës, trajneri i skuadrës nga Rrogozhina, Nevil Dede, ka analizuar paraqitjen e dobët të të besuarve të tij.
Duke komentuar fillimin e ndeshjes, Dede pranoi se skuadra nuk ishte e fokusuar siç duhet: “Nuk arritëm të hynim në lojë, dukej sikur ishim ende në udhëtim. Nuk jemi makineri që ndizen me buton. Ishte një ditë jo për ne, ku gabuam aty ku rrallë ndodh. Ritmi ishte i ulët, ndërsa kartoni i kuq i Aleksit na penalizoi ndjeshëm në menaxhimin e energjive për sfidat e ardhshme.”
Tekniku i rrogozhinasve theksoi gjithashtu vështirësitë me terrenin dhe mungesën e përqendrimit: “Nuk u përshtatëm dot me fushën dhe kjo ndikoi në ritmin tonë. Lojtarët u munduan maksimalisht, por mendërisht nuk ishin prezentë. E di që të gjithë gëzojnë kur na godasin dhe na mundin, por askush nuk është i pavdekshëm. Nuk ia dolëm dhe diçka nuk shkoi sipas planit tonë.”
Lidhur me golin e pësuar nga Lagodinis, Dede mori përgjegjësinë kolektive: “Ne kemi një regjim tjetër markimi, jemi miks në zonë. Gabuam si grup, jo si individë. Kjo është mënyra ime e të parit të ndeshjes, gabimet janë gjithmonë kolektive.”
I pyetur nëse tri humbjet radhazi në transfertë, pa shënuar asnjë gol, shkaktojnë shqetësim përpara ndeshjeve në Conference League, Dede u shpreh i qetë: “Aspak. Do të ketë gjithmonë ditë të këqija. Kampionati mbetet prioritet. Duhet të pranojmë pamundësinë tonë në këtë përballje dhe në vend që të gjejmë shfajësime, është më mirë të shohim te vetja.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: