Sport
Në prag të sfidës me Skënderbeun, Nevil Dede tregon synimet e Egnatisë
Reklamë e Sponsorizuar
Këtë pasdite, duke nisur nga ora 16:00, do të ulë siparin java e 12-të e Abissnet Superiores përmes duelit mes Skënderbeut dhe Egnatisë. Pak orë para kësaj përballjeje të rëndësishme, trajneri i skuadrës kampione, Nevil Dede, ka dalë në një konferencë për shtyp për të ndarë pritshmëritë e tij.
Kreu i stafit teknik u ndal te koha e pushimit, duke theksuar se kjo periudhë i ka shërbyer grupit si për të rikuperuar lojtarë të rëndësishëm, ashtu edhe për të përmirësuar aspektet taktike.
"Kjo periudhë pauze apo pushimi na ka ndihmuar shumë edhe për të përfituar kohë për rikuperimin e Grudës, por mbi të gjitha për të fituar ekipi freskinë dhe të punonim në disa elementë që kemi nevojë t’i rregullojmë", u shpreh Dede.
Më tej, trajneri i kampionëve vlerësoi maksimalisht kundërshtarin korçar, duke mos kursyer komplimentet për ecurinë e tyre në fushën vendase dhe traditën që mbart klubi.
"Skënderbeu realisht nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Kjo është shumë domethënëse. Skënderbeu është një ekip me traditë dhe shumë histori, sidomos në 20 vitet e fundit në futbollin shqiptar", deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Dede bëri të malore qasjen që skuadra e tij duhet të ketë ndaj këtij takimi, duke kërkuar përulësi dhe vlerësim maksimal nga lojtarët.
"Në vlerësimin tim personal, por edhe të djemve dhe skuadrës, e respektojmë maksimalisht dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet t’i japim hakun që i takon. Kjo është një nga elementët kryesorë që kemi diskutuar me djemtë gjatë javës", theksoi trajneri.
Në mbyllje, kreu i stafit teknik të Egnatisë foli për ambiciet e skuadrës në këtë transfertë, duke pohuar se besimi te grupi dhe identiteti i ndërtuar janë çelësi për të arritur rezultatin e dëshiruar.
"Për sa i përket objektivave tona, ne kemi besim te vetja, te grupi, kemi ndërtuar identitetin tonë dhe do të shkojmë atje pa arrogancë, me përgjegjësinë maksimale, për të dhënë më të mirën tonë dhe në fund fare të arrijmë objektivat që ne kemi. Fusha do të tregojë sa të përgatitur jemi", përfundoi Dede.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: