Sport
Superliga rikthehet me përplasje vendimtare: Çfarë pritet nga java e 12-të
Reklamë e Sponsorizuar
Pas pauzës së detyruar për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare, Kategoria Superiore bëhet gati për t'u rikthyer në fushë këtë fundjavë. Java e 12-të sjell pesë sfida të programuara për t'u zhvilluar gjatë tri ditëve, ku intensiteti pritet të jetë i lartë si në kreun e tabelës, ashtu edhe në betejën për të shmangur rënien nga kategoria.
Fokusi i së premtes do të jetë në stadiumin e Korçës, aty ku Skënderbeu do të sfidojë kryesuesit e Egnatias. Të dyja skuadrat po kalojnë një formë të shkëlqyer: korçarët vijnë pas një serie prej gjashtë ndeshjesh pa humbje në të gjitha frontet, ku në pesë takimet e fundit kampionale kanë regjistruar tre fitore dhe dy barazime. Nga ana tjetër, rrogozhinasit, të ndërtuar me ambicie të qarta, vijnë pas tri fitoreve radhazi dhe synojnë të konsolidojnë pozitat e tyre në krye të klasifikimit.
Një tjetër përballje mjaft intriguese do të zhvillohet mes Elbasanit dhe Dinamos. Elbasani kërkon kthesën pas humbjes së fundit ndaj Vllaznisë, ndërsa dinamovitët ndodhen në një situatë delikate, pasi në tre sfidat e fundit kanë grumbulluar vetëm dy pikë dhe kanë pësuar një humbje, duke synuar kështu këndelljen për t'u rikthyer te rezultatet pozitive.
Në Durrës, Teuta do të presë Laçin në një duel mbijetese. “Djemtë e detit” kanë për detyrë të ndalin serinë negative prej tri humbjesh radhazi, ndërsa kurbinasit, që mbajnë vendin e parafundit, vijnë pas dy disfatash dhe janë të detyruar të marrin pikë për të mos humbur kontaktin me pjesën tjetër të tabelës.
Spektakli do të vazhdojë me një përplasje direkte për pozicionet e larta, atë mes Partizanit dhe Vllaznisë. Me të kuqtë që kanë arkëtuar 10 pikë dhe shkodranët që numërojnë 12, kjo ndeshje bëhet vendimtare për ekuilibrat në pjesën e sipërme të renditjes.
Java e 12-të do të mbyllë siparin të dielën me takimin mes Vorës dhe Tiranës. Të dyja formacionet hyjnë në këtë përballje me synimin për të siguruar pikë të plota, të domosdoshme për të avancuar drejt objektivave të tyre përkatëse në këtë sezon të Superligës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: