Sport
Al Ittihad nuk heq dorë nga Edon Zhegrova: Gati oferta milionëshe për yllin e Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
E ardhmja e Edon Zhegrovës mund të marrë një kthesë të papritur gjatë merkatos së janarit. Ylli i Kombëtares së Kosovës është vënë sërish në shënjestrën e klubit saudit, Al Ittihad, të cilët janë të vendosur për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas informacioneve që vijnë nga Italia, klubi nga Arabia Saudite ka shtuar presionin dhe po finalizon një ofertë prej 15 milionë eurosh për të bindur Juventusin që të lejojë largimin e 27-vjeçarit. Kjo lëvizje vjen pas një përpjekjeje të pasuksesshme gjatë verës, kur palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për transferim.
Ndërkohë, qasja e Juventusit duket se ka ndryshuar në krahasim me muajt e kaluar. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” janë të hapur për të dëgjuar oferta konkrete, ndërsa vetë futbollisti nuk e ka përjashtuar mundësinë e një largimi, duke pasur parasysh minutazhin e kufizuar që ka pasur në dispozicion deri më tani.
Megjithatë, gara për Zhegrovën nuk është e lehtë për sauditët. Për shërbimet e sulmuesit kosovar ka pasur interesim të vazhdueshëm edhe nga klube të njohura në kampionatin francez dhe atë turk, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e tij në Torino.
Pavarësisht statusit si lojtar që shpesh është aktivizuar nga stoli, Zhegrova ka treguar efikasitet të lartë këtë sezon në Serie A, duke kontribuar me dy gola dhe dy asistime në nëntë ndeshje. Aktualisht, kontrata e tij me Juventusin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2030.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: