Mbesin 15 vatra aktive të zjarrit, kërkohet ndërhyrje ajrore nga KFOR-i

Publikuar më: 10-08-2025 01:02
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se janë 15 zona aktive të zjarrit në nivel vendi, të shtunën në mbrëmje, teksa ka bërë të ditur se ka kërkuar nga KFOR-i ndërhyrje ajrore për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Sipas një njoftimi në mbrëmje, të shtunën kanë qenë 40 vatra zjarri, prej të cilave 25 janë lokalizuar. “Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit”, thuhet në njoftim. Agjencia ka përsëritur apelin që qytetarët të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër që shohin.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu