Ekonomi
Paketa e re ekonomike e Berishës: Kërkohet rritje deri në 50% për pagat dhe pension minimal prej 200 eurosh
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në selinë e kësaj force politike, ka paraqitur propozimet e tij për ekonominë, duke kërkuar një rritje prej 50 për qind për pagat e ulëta dhe 30 për qind për ato të mesme. Njëkohësisht, ai ka theksuar se asnjë pension në vend nuk duhet të jetë më i ulët se 200 euro.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, lideri i opozitës ka hedhur gjithashtu idenë e shkurtimit të menjëhershëm përgjysmë të të gjitha shpenzimeve operative që përkasin administratës publike. Sipas tij, një hap i tillë jo vetëm që nuk do të pengonte mbarëvajtjen e punës në institucione, por do të shërbente si një mekanizëm për të rritur transparencën dhe për të luftuar korrupsionin.
Duke iu referuar shifrave të buxhetit, Berisha u shpreh se fondi total i pagave, që llogaritet rreth 103 miliardë lekë ose 1.3 miliardë euro, mund të përballojë pa asnjë lloj vështirësie dhe pasojë këtë rritje të propozuar. Ai akuzoi qeverinë se ndan fonde të majme për tendera dhe prokurime, ndërsa pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta lihen në harresë, duke përmendur edhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për fondet e investimeve.
Sakaq, kreu i demokratëve ka përjashtuar çdo mundësi për rritjen e pagave të larta, duke i quajtur ato tashmë të pajustifikueshme dhe më të lartat në rajon. Sipas tij, ndërkohë që rroga mesatare në vend krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian është vetëm 15 deri në 20 për qind e saj, pagat e funksionarëve të lartë arrijnë shifra të krahasueshme apo deri në 70 për qind të standardeve evropiane, ndaj ato duhet të mbeten të ngrira.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: