Sport
Talenti shqiptar shkëlqen ndaj Spanjës, spanjollët: Ai na mohoi fitoren në “Air Albania”
Reklamë e Sponsorizuar
Pavarësisht pranisë në fushë të futbollistëve që aktivizohen te klube elitare si Barcelona, Real Madrid apo Atletico Madrid, Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka arritur të dalë e pamposhtur nga sfida miqësore kundër Spanjës U-21, e cila u zhvillua në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.
Faqja kryesore e suksesit kuqezi dhe “muri” i pakalueshëm për talentet iberike ishte portieri Alain Taho. Edhe pse spanjollët regjistruan plot 7 goditje në kuadrat, asnjë prej tyre nuk ka arritur të përfundojë në rrjetë, falë paraqitjes fantastike të 19-vjeçarit që luan me ekipin e Inter U-23.
E përditshmja e njohur spanjolle “Marca”, e cila ndjek nga afër ngjarjet te Real Madridi, i ka thurur elozhe portierit kuqezi, duke e cilësuar atë si faktorin kyç të ndeshjes: “Ai ishte lojtari më i mirë në fushë për Shqipërinë dhe personi i vetëm përgjegjës se pse Spanja nuk mundi të triumfonte në këtë takim”.
I riu kuqezi po dëshmon ndeshje pas ndeshjeje një rritje të ndjeshme në aspektin e sigurisë dhe besimit në portë. Me këtë ecuri pozitive, debutimi i tij me Kombëtaren A duket një hap shumë pranë. Ndërkohë, drejtuesit e Interit në Itali e vlerësojnë atë si një alternativë ideale për të blinduar portën zikaltër në të ardhmen e afërt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: