Sport
Bashkimi shkruan historinë: Prizrenasit rrëmbejnë Superkupën e Kosovës pas një drame në Rahovec
Reklamë e Sponsorizuar
Skuadra e Bashkimit është shpallur fituese e Superkupës së Kosovës në basketboll për herë të parë në historinë e klubit. Në një përballje finale që mbajti publikun në tension deri në sekondat e fundit, prizrenasit triumfuan ndaj Trepçës me rezultatin 103:93, pas vazhdimeve.
Palestra “Mizahir Isma” në Rahovec ishte skena e një prej ndeshjeve më të zjarrta të viteve të fundit. Pjesa e parë foli për mitrovicasit, të cilët e mbyllën çerekun e parë 24:22 dhe të dytin 22:18, duke shkuar në pushim me një epërsi prej gjashtë pikësh (46:40).
Dueli u shoqërua edhe me momente tensioni, kur në fund të pjesës së parë, hedhja e mjeteve piroteknike nga tribunat detyroi gjyqtarët të ndërpresin përkohësisht lojën. Për të vazhduar takimin, autoritetet morën vendimin për zbrazjen e plotë të palestrës, duke e kthyer vëmendjen sërish te loja në parket.
Në pjesën e dytë, Bashkimi tregoi karakter dhe u rikthye fuqishëm në lojë. Duke fituar çerekun e tretë 28:24 dhe të katërtin 19:17, prizrenasit arritën ta barazojnë rezultatin. Një moment kulmor ndodhi kur Shanon Shorter, 1.6 sekonda para fundit, realizoi një treshe të pabesueshme nga distanca e 10 metrave për t'i dhënë epërsinë Bashkimit 87:84. Megjithatë, Dardan Kapiti i Trepçës iu përgjigj me një treshe spektakolare nga gjysma e fushës, duke e dërguar takimin në vazhdime.
Në pesë minutat shtesë, epërsia e Bashkimit ishte e padiskutueshme. Ata dominuan totalisht duke shënuar 16 pikë, përballë vetëm 6 pikëve të Trepçës, për të vulosur fitoren historike 103:93.
Shanon Shorter ishte lideri i Bashkimit me 22 pikë e 11 kërcime, ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm dha edhe Adrio Bailey, gjithashtu me 22 pikë e 11 kërcime. Nga ana tjetër, te Trepça më i dalluari ishte Ja’Cori Payne me 19 pikë dhe 8 asistime, paraqitje e cila fatkeqësisht nuk mjaftoi për ta mbajtur trofeun në Mitrovicë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: