Reagon babai i të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika: Presimin lirimin e tyre, e v

Publikuar më: 24-04-2025 20:33
Pas zhvillimeve të fundit lidhur me vrasjen e rreshterit të policisë nga Kaçaniku, Muhamet Lika, dhe arrestimin e shtatë personave të dyshuar për përfshirje në këtë akt të rëndë kriminal, ka reaguar edhe babai i Rejan Belës, njërit prej të arrestuarve. Ai shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për mënyrën se si rasti po trajtohet nga një pjesë e mediave, analistëve dhe opinionistëve në vend. “Jam jashtëzakonisht i tronditur nga disa gazetarë, analistë dhe individë që po marrin rolin e gjyqtarit apo të prokurorit,” shprehet ai, duke shtuar se një trajtim i tillë është i padrejtë dhe i dëmshëm për të gjithë të përfshirët dhe për familjet e tyre. Sipas tij, dy djemtë e tij janë ndaluar dhe po mbahen në paraburgim, me vendim të Gjykatës, si të dyshuar për përfshirje në rastin tragjik të ndodhur në Kaçanik. Ai nënvizon se familja e tij është e bindur për pafajësinë e tyre dhe se është e vendosur të presë vendimin e drejtësisë. “Ne, si familje, e dimë të vërtetën dhe presim lirimin e tyre. Le të dalë drejtësia në shesh. Kemi besim se e vërteta do të triumfojë dhe se çdo gjë do të zbardhet me kohë,” ka përfunduar ai. Ngjarja e cila ndodhi më 01.04.2025 ka tronditur opinionin publik, ndërkohë që hetimet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente. Deri tani janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë që nga planifikimi e deri te ekzekutimi i vrasjes së rreshterit Muhamet Lika. Prokuroria Themelore në Ferizaj, për gjashtë nga të arrestuarit ka kërkuar paraburgim prej një muaji, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë me intensitet.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu