Sport
Superliga e Kosovës në hendboll nis me supersfidën Besa Famgasi – Deçani
Reklamë e Sponsorizuar
Edicioni i ri 2026/2027 në Superligën e Kosovës në hendboll, në konkurrencën e meshkujve, do të ngrejë siparin me një përballje spektakolare mes Besa Famgasit dhe Deçanit. Dueli kryesor i javës së parë do të luhet të mërkurën, duke filluar nga ora 20:00, në palestrën sportive "Karagaçi" në Pejë, ndërsa shikuesit do të mund ta ndjekin transmetimin direkt në ekranin e 21 Plus.
Për këtë edicion, skuadra e Besa Famgasit ka ndërtuar një grup lojtarësh me cilësi të lartë dhe synon rrëmbimin e të gjithë trofeve. Pejanët vijnë pas një zhgënjimi të dielën, ku për shkak të mungesës së fatit nuk arritën të fitonin Superkupën ndaj Kastriotit, pavarësisht se e kishin kontrolluar ndeshjen dhe kishin udhëhequr në epërsi për pjesën më të madhe të kohës.
Në krahun tjetër, Deçani rikthehet zyrtarisht në elitën e hendbollit kosovar, duke dëshmuar ambicie të mëdha përmes afrimit të hendbollistëve me përvojë të fushës, gjë që paralajmëron një ndeshje tejet të luftuar.
Fushata e javës së parë do të vazhdojë të enjten, ku nga ora 19:00 do të përballen Prishtina dhe Vëllaznimi, një tjetër ndeshje që premton rivalitet të lartë dhe emocione për adhuruesit e këtij sporti.
Ndërkohë, kalendari i kësaj jave plotësohet me dy takimet e tjera, Kastrioti - Rahoveci dhe Trepça - Llapi, të cilat janë parashikuar të zhvillohen në një afat të mëvonshëm.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: