Ekonomi
Përplasje e ashpër VLEN-BDI: Akuzohen për 'dyert e hapura' ndaj kapitalit serb në sektorët strategjikë
Reklamë e Sponsorizuar
Rritja e ndikimit të kapitalit serb në degët kyçe të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut ka shndërruar skenën politike në një arenë akuzash të ndërsjella mes VLEN-it dhe BDI-së. Dy forcat politike shqiptare po hedhin përgjegjësinë te njëra-tjetra për depërtimin e investimeve nga Beogradi, duke përfshirë sektorin bankar, atë farmaceutik dhe sistemin e furnizimit me barna esenciale.
VLEN ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-pushtetarëve të BDI-së, duke pretenduar se ata kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për shitjen e aksioneve shtetërore të Stopanska Bankës në Manastir, e cila më pas kaloi nën pronësinë e Alta Bankës nga Beogradi. Saranda Imeri Stafai, në emër të VLEN, ka kërkuar sqarime publike nga Ali Ahmeti, Fatmir Besimi dhe Bujar Osmani lidhur me rolin e Artan Grubit në këtë proces.
“A ishte planifikuar në nivelet më të larta të BDI-së që banka të përgatitej për t'u marrë nën kontroll nga ‘Alta banka’ e Beogradit? Pyesim nëse roli i Grubit, Besimit dhe Osmanit ishte që të lironin aksionet shtetërore për shitje, ndërkohë që rrjeti familjar i Ali Ahmetit, përmes ‘AS Senjak’, grumbullonte aksione private dhe siguronte kredi milionëshe nga Beogradi”, deklaroi Imeri Stafai.
Nga kampi tjetër, BDI ka kundërsulmuar duke ngritur alarmin për kontrollin serb mbi sektorin farmaceutik. Deputetja Arta Bilalli-Zendeli theksoi se pas bankave dhe telekomunikacionit, tashmë edhe furnizimi me insulinë në vend po bie në duart e kapitalit serb. Ajo iu referua vendimit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës të 3 prillit 2025, që miratoi blerjen e ‘Phoenix Pharma’ nga kompania serbe ‘VEGA’, e lidhur me bashkëpronarin e ‘Mozzart’, Dejan Çakajac.
Bilalli-Zendeli bëri të ditur se ‘Vega Farmaceutikals’ ka siguruar mbi 50 kontrata publike gjatë vitit 2026, duke përfituar shuma milionëshe nga Ministria e Shëndetësisë dhe klinikat shtetërore. Sipas saj, vetëm nga tenderët për insulinat, kompania në fjalë ka arkëtuar rreth 10 milionë euro.
Kjo përplasje reflekton shqetësimet në rritje rreth pranisë së kapitalit serb në Maqedoninë e Veriut, i cili aktualisht shtrihet në një gamë të gjerë aktivitetesh, duke nisur nga telekomunikacioni dhe media, e deri te shërbimet financiare dhe industritë prodhuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: