Botë
Valë e re në BE: Pesë shtete evropiane bashkohen për të dëbuar azilkërkuesit e refuzuar drejt Ruandës
Reklamë e Sponsorizuar
Gjermania, Austria, Greqia, Danimarka dhe Holanda janë pesë vendet evropiane që pritet të bëjnë publik këtë të hënë një projekt të përbashkët për zhvendosjen e emigrantëve pa të drejtë azili drejt territorit të Ruandës.
Ky zhvillim është konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters nga dy burime të brendshme që janë pjesë e bisedimeve.
Prezantimi zyrtar i kësaj marrëveshjeje do të bëhet në Vjenë, ku synohet ngritja e të ashtuquajturave qendra riatdhesimi jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, ku do të akomodohen individët që kanë shteruar të gjitha mundësitë juridike për të qëndruar brenda unionit.
Kjo lëvizje vjen si pjesë e strategjisë së disa qeverive të bllokut për të përshpejtuar procedurat e dëbimit dhe për të vënë nën kontroll lëvizjet e parregullta të emigrantëve.
Iniciativa merr mbështetje edhe nga rregullorja e re evropiane për kthimet, e cila u jep hapësirë shteteve anëtare që të themelojnë qendra të tilla paraburgimi apo strehimi në shtete të treta.
Ndryshe nga projekti i Mbretërisë së Bashkuar, i cili u rrëzua dhe u braktis si i paligjshëm nga Gjykata e Lartë britanike në vitin 2023, skema e re evropiane do të zbatohet rreptësisht vetëm ndaj ator individëve që kanë përmbyllur të gjitha fazat gjyqësore dhe administrative dhe nuk gëzojnë më asnjë status ligjor qëndrimi në BE.
Përfaqësuesit e qeverive pjesëmarrëse kanë theksuar se i gjithë procesi do të respektojë plotësisht kornizën ligjore të Bashkimit Evropian dhe normat ndërkombëtare.
Megjithatë, organizatat joqeveritare që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre për rreziqet e mundshme ndaj të drejtave themelore të emigrantëve, duke e vënë theksin te fakti se ata do të dërgohen në një vend me të cilin nuk ndajnë asnjë lidhje gjeografike apo kulturore.
Edhe Kshilli i Evropës ka lëshuar më parë paralajmërime se funksionimi i qendrave të tilla jashtë BE-së mbart sfida dhe rreziqe serioze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në krahun tjetër, mbështetësit e kësaj nisme argumentojnë se qëllimi kryesor nuk është domosdoshmërisht nisja e një valë masive dëbimesh, por krijimi i një mekanizmi të fuqishëm parandalues.
Sipas tyre, vetë fakti se personat që hyjnë ilegalisht mund të përfundojnë në një shtet afrikan do të shërbejë si faktor dekurajues për të mos ndërmarrë rrugëtimin e rrezikshëm.
Përballë këtyre qëndrimeve, kritikët mbeten skeptikë lidhur me efikasitetin e kësaj politike, duke argumentuar se shtrëngimi i masave nuk e zgjidh rrënjësisht problemin e emigracionit, por thjesht orienton udhëtarët drejt rrugëve alternative dhe rrit fitimet e rrjeteve të trafikimit.
Nga ana e saj, Ruanda është shprehur e hapur dhe e gatshme të presë emigrantë të larguar nga vendet perëndimore, pavarësisht kritikave të herëpashershme mbi standardet e saj të të drejtave të njeriut.
Vlen të theksohet se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur tashmë transferimin e emigrantëve drejt Ruandës, në kuadër të një pakti dypalësh të nënshkruar gjatë vitit të kaluar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: