Botë
Skandali me këngën nacionaliste në Bruksel, Komisionerja Kos zhvendos përgjegjësinë te artistët
Reklamë e Sponsorizuar
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka reaguar me keqardhje pas transmetimit të një këngë me motive nacionaliste serbe gjatë koncertit të mbajtur në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel. Përgjegjësinë për këtë incident ajo ia ka faturuar drejtpërdrejt interpretuesve muzikorë për zgjedhjen e bërë.
Në deklaratën e saj, Kos ka theksuar se ky veprim nuk përfaqëson në asnjë formë qëndrimet zyrtare të Komisionit Evropian. Ajo gjithashtu ka shtuar se institucionet evropiane janë plotësisht të vetëdijshme për të kaluarën dhe vuajtjet e popujve në rajon.
“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, u shpreh Kos, duke bërë thirrje për pajtim pa anashkaluar të kaluarën.
“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, shtoi më tej ajo.
Gjatë diskutimit, lidhur me pyetjen se përse për të dytën herë radhazi asnjë përfaqësues nga Kosova nuk është ftuar në këtë ngjarje të rëndësishme, Komisionerja Kos e ka hedhur tutje këtë pretendim, duke e quajtur të pavërtetë dhe duke sjellë në vëmendje pjesëmarrjen e Donika Eminit nga shoqëria civile si e ftuar zyrtare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: