Botë
Skandal në Bruksel: Kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës kumbon në aktivitetin e Bashkimit Evropian
Reklamë e Sponsorizuar
PRISHTINË, 16 nëntor/ATSH/ Melodia e kompozimit nacionalist serb “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila mbart ambicie të hapura politike dhe territoriale ndaj Kosovës, është ekzekutuar në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, pikërisht në prag të hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, ngjarje kjo e organizuar nga vetë Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos.
Në këtë ngjarje dyditore, e cila zhvillohet sot dhe nesër, janë parashikuar të marrin pjesë figura të shquara të politikës nga vendet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim, krahas përfaqësuesve të shoqërisë civile, sipërmarrësve, artistëve, të rinjve dhe ekspertëve të fushës.
Megjithëse Kosova nuk ka dërguar përfaqësuesit e saj në këtë organizim, mbrëmja hapëse dhe koncerti paraprak u shoqëruan me performancën e këngës shoviniste “Oj Kosovo, Kosovo”.
Sipas agjendës zyrtare të publikuar për këtë ngjarje, mbrëmja e 15 nëntorit parashikonte performancën e Orkestrës së Të Rinjve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me grupin muzikor nga Sllovenia, “Kapobanda”. Ishte pikërisht ky bend slloven që zgjodhi të interpretojë këngën serbe, “Oj Kosovo Kosovo”.
Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar menjëherë përmes një postimi në rrjetin social “X”, duke e cilësuar ngjarjen në Bruksel si skandaloze dhe plotësisht të patolerueshme.
“Një këngë nacionaliste serbe, që mohon shtetësinë e Kosovës dhe që u shkrua në kohën kur kasapi i Ballkanit, Millosheviçi, po i shfuqizonte të drejtat e Kosovës dhe po e shtypte popullin tonë, u interpretua në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE-së. Kjo është skandaloze e papranueshme. Një aktivitet i BE-së për zgjerimin nuk mund t’i japë skenë nacionalizmit serb”, deklaroi Zulfaj.
Ai gjithashtu bëri të ditur se nga Komisionerja Kos pritet një shpjegim zyrtar lidhur me rrethanat se si ndodhi një lëshim i tillë, çfarë masash do të merren, si dhe pse Kosova, shteti që ka shënuar progresin më të ndjeshëm demokratik në rajon gjatë kësaj dekade dhe që është plotësisht e bashkërenduar me vlerat dhe politikën e jashtme të BE-së, mbeti pa ftesë.
Edhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, i cili shërben edhe si Kryenegociator për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, e ka konsideruar të papranueshëm interpretimin e kësaj muzike nacionaliste kundër Kosovës brenda një aktiviteti zyrtar të Komisionit Evropian.
Përmes një reagimi në të njëjtën platformë, Bajrami ka theksuar se ky nuk mund të quhet në asnjë mënyrë shkëmbim kulturor.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme”.
Në fund, Bajrami ka shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Marta Kos për mënyrën se si u skicua dhe u miratua ky repertor.
Standardet evropiane, fqinjësia e mirë dhe besueshmëria e vetë procesit të zgjerimit nuk mund të bashkëjetojnë kurrë me ofrimin e një tribune për tendenca irredentiste ndaj një vendi që synon me të drejtë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka përfunduar Bajrami në reagimin e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: