Ekonomi
Kostoja e lartë e jetesës: Tirana, qyteti më i shtrenjtë në rajon për shportën ushqimore
Reklamë e Sponsorizuar
Blerjet në marketet e Tiranës janë bërë një barrë e rëndë për xhepat e qytetarëve, duke e renditur kryeqytetin shqiptar si vendin më të kushtueshëm në Ballkanin Perëndimor për blerjen e produkteve ushqimore. Për të njëjtën vlerë prej 100 eurosh, konsumatorët në Prishtinë mund të sigurojnë rreth 46% më shumë produkte, ndërsa në Shkup kjo përqindje është 34%. Diferencat vijojnë edhe me qytetet e tjera, ku në Podgoricë blerësi merr 25% më shumë mall, në Sarajevë 22% dhe në Beograd 17% më shumë sesa në Tiranë.
Analizat e bazuara në të dhënat e platformës ndërkombëtare Numbeo vërtetojnë se një shportë me 15 artikuj bazë kushton 54.6 euro në Tiranë. Për të njëjtat produkte, konsumatorët në Beograd paguajnë 46.9 euro, në Sarajevë 44.6 euro, në Podgoricë 43.8 euro, në Shkup 40.7 euro, ndërsa në Prishtinë kjo shportë kushton vetëm 37.3 euro.
Hendeku i çmimeve bëhet edhe më alarmant kur analizohen produktet specifike. Vezët në Tiranë shiten me një çmim gati dy herë më të lartë se në Prishtinë; një paketim me 12 kokrra kushton 3.24 euro në kryeqytetin shqiptar, krahasuar me 1.61 euro në Prishtinë dhe 2.2 euro në Shkup. Qumështi gjithashtu shënon diferenca të mëdha, ku një litër kushton 1.97 euro në Tiranë, ndërsa në Sarajevë, Shkup, Prishtinë, Podgoricë apo Beograd, çmimi varion nga 1.05 deri në 1.27 euro.
Edhe sektori i bulmetit dhe mishit pasqyron këtë shtrenjtim. Djathi vendas në Tiranë tregtohet me 11.4 euro për kilogram, ndërsa në Prishtinë dhe Shkup çmimi bie në rreth 7 euro. Mishi i viçit, një tjetër produkt thelbësor, shitet me 15.2 euro për kilogram në Tiranë, krahasuar me 11 euro në Podgoricë dhe Prishtinë. Edhe fruta-perimet si bananet apo sallata jeshile rezultojnë ndjeshëm më të shtrenjta në tregjet e Tiranës, ndonëse ka raste sporadike, si domatet apo orizi, ku qytetet e tjera si Beogradi mbajnë çmime pak më të larta.
Këto të dhëna të Numbeo-s, që bazohen në raportimet e përdoruesve për kryeqytetet, gjejnë mbështetje edhe në statistikat zyrtare të Eurostat-it. Për vitin 2025, Shqipëria rezulton vendi më i shtrenjtë në rajon për ushqimet, duke tejkaluar për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian. Indeksi i çmimeve të ushqimeve në vendin tonë ka arritur në 102.9% të mesatares së BE-së, duke lënë pas Serbinë me 96.6%, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën me 84.6%, dhe Maqedoninë e Veriut me 74.3%. Kjo do të thotë se për një shportë që në BE kushton 100 euro, shqiptarët paguajnë 103 euro, duke dëshmuar një rritje të ndjeshme të kostos së jetesës gjatë viteve të fundit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: