Sport
Afera me spiunen e dyshuar kineze vë në telashe gjigantin e çipave Nvidia dhe miliarderin Jensen Huang
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori ekzekutiv i gjigantit teknologjik Nvidia, Jensen Huang, është përfshirë në një skandal të madh me përmasa ndërkombëtare, pasi ka pranuar publikisht se ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua që dyshohet se punon si agente e inteligjencës për Pekinin. 63-vjeçari, i cili sipas Forbes renditet si personi i tetë më i pasur në botë, i ka kërkuar falje bashkëshortes së tij dhe ka deklaruar se mban përgjegjësi të plotë për veprimet e bëra.
Ky zhvillim ka bërë që bordi drejtues i Nvidia-s të nisë menjëherë një hetim të pavarur, nën dyshimet se drejtuesi i saj mund të ketë qenë shënjestër e një operacioni sekret nga agjencitë e huaja të spiunazhit. Ngjarja merr përmasa edhe më serioze pasi Nvidia i ka shitur pajisje të inteligjencës artificiale në vlerë prej afërsisht 5 miliardë dollarësh firmës Megaspeed me seli në Singapor, ku partnerja e tij e fshehtë, Alice Huang, kishte shërbyer më parë si drejtoreshë menaxhuese.
E gjithë kjo ngjarje zhvillohet në një moment mjaft kritik gjeopolitik, kur rivaliteti mes Uashingtonit dhe Pekinit është në pikën më të lartë për shkak të garës së ashpër për dominim në fushën e inteligjencës artificiale.
Zyrtarët e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara besojnë se Alice Huang, e njohur ndryshe edhe me emrin Huang Le, është një spiune që i shërben drejtpërdrejt Ministrisë së Sigurisë së Shtetit të Kinës. Pavarësisht se gëzojnë të njëjtin mbiemër, ajo dhe kreu i Nvidia-s nuk kanë asnjë lidhje familjare. Ajo ka pasur një rol drejtues në kompaninë Megaspeed International, e cila është e specializuar në qendrat e të dhënave dhe shërbimet kompjuterike në cloud.
Ndonëse nuk dihet me saktësi se kur ka nisur lidhja mes tyre, pamje të të dyve janë regjistruar në një lokal në Taipei gjatë vitit 2024. Pikërisht rreth asaj periudhe, Megaspeed nisi blerjen e papritur të mikroçipave më të avancuar të Nvidia-s me vlerë miliarda dollarë, një lëvizje që befasoi shumë ekspertë të industrisë. Më tej, në maj të vitit 2025, ata u panë sërish së bashku në një restorant po në Taipei, ku gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë ajo shfaqej pranë Huang-ut duke e puthur në faqe.
Sipas informacioneve të inteligjencës, Alice Huang flet rrjedhshëm anglisht dhe zotëron kontakte të nivelit të lartë në sektorin e inteligjencës artificiale. Të dhënat tregojnë se ajo mund të ketë punuar më parë në bankën HSBC si dhe në mediat kineze CCTV dhe Hunan TV. Ndërkohë, kompania Megaspeed po ndërton qendra të përpunimit të të dhënave në Azinë Juglindore, kapacitetet kompjuterike të të cilave me pas ia jep me qira gjigantit kinez të tregtisë elektronike, Alibaba.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: