Aktuale
Nga Fatos Nano te Elisa Spiropali: Historia e bujshme e përjashtimeve në Partinë Socialiste
Reklamë e Sponsorizuar
Partia Socialiste ka një histori të gjatë të ndryshimeve në gjirin e saj, ku ndër vite nuk kanë munguar përjashtimet e figurave të njohura. Në emisionin “Review”, moderatorja Greta Topjana ka sjellë një pasqyrë kronologjike të këtyre lëvizjeve, duke nisur nga viti 2007 e deri te zhvillimet më të fundit, që përfshijnë emra si Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca.
Në vitin 2007 shënohet një nga momentet më domethënëse, kur vetë Edi Rama njoftoi se Fatos Nano nuk ishte më pjesë e projektit politik socialist. Në të njëjtin vit, gjashtë deputetë – Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Taulant Dedja dhe Hamit Kosta – u përjashtuan nga grupi parlamentar për shkak të mbështetjes së dhënë për Bamir Topin, kandidat i Partisë Demokratike për postin e Presidentit.
Vala e përjashtimeve vazhdoi në vitin 2011 me Kastriot Islamin, i cili u largua nga grupi parlamentar për shkak të mosbindjes ndaj linjës politike të partisë. Ky vendim shkaktoi debate të forta, ndërsa pak më vonë, figura si Arben Malaj, Marko Bello, Andis Harasani dhe Ben Blushi u vunë në qendër të vëmendjes pas krijimit të “Lëvizjes për mendim ndryshe”, duke humbur gradualisht pozicionet e tyre drejtuese.
Kronologjia vijon me vitin 2015, ku Tom Doshi u largua nga grupi parlamentar, ndërsa në vitin 2016, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi themeluan forcën e tyre politike, “Libra”. Në listën e emrave që janë përballur me masa disiplinore ndër vite përfshihen edhe Koço Kokëdhima, i cili u shkarkua nga funksionet drejtuese, si dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u përjashtua nga forumet dhe grupi parlamentar.
Lista e largimeve plotësohet me emra të tjerë si Gjetan Gjetani në vitin 2018 dhe Dritan Leli. Së fundmi, siç konfirmoi edhe Blendi Klosi, Plarent Ndreca dhe Elisa Spiropali janë përjashtuar nga forumet politike të Partisë Socialiste, duke shënuar zhvillimin më të fundit në listën e gjatë të ndryshimeve brenda kësaj force politike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: