Aktuale
Keqpërdorimi i barnave në QKUK: SHSKUK merr masa dhe pezullon katër punonjës
Reklamë e Sponsorizuar
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka ndërmarrë masa ndëshkimore duke suspenduar katër punonjës, pasi gjatë kontrollit janë konstatuar shkelje dhe parregullsi në menaxhimin e barnave dhe materialit shpenzues brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas komunikatës zyrtare, ky vendim është marrë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, si përgjigje ndaj mangësive dhe keqmenaxhimit të konstatuar në këtë sektor të ndjeshëm.
Kjo çështje është trajtuar edhe gjatë mbledhjes së tetë të Bordit Drejtues të SHSKUK-së, e cila u drejtua nga kryesuesi Faik Shatri. Gjatë këtij takimi, drejtori i Përgjithshëm, Elvir Azizi, ka paraqitur raportin lidhur me hapat e parë disiplinorë që janë ndërmarrë ndaj personave përgjegjës.
Me këtë rast, Bordi Drejtues ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme që të mbajë të informuar bordin në çdo mbledhje të ardhshme rreth zhvillimit të procedurave disiplinore dhe hapave konkretë të ndërmarrë.
Nga ana e saj, SHSKUK ka theksuar se do të vazhdojë trajtimin rigoroz të çdo rasti të ngjashëm në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim kryesor ngritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale në administrimin e produkteve medicinale.
Problematika e furnizimit me barna dhe material shpenzues ka qenë në fokus të vëmendjes publike, ndërkohë që për këtë temë Kuvendi i Kosovës kishte organizuar edhe një interpelancë më 13 nëntor, e cila megjithatë nuk solli një zgjidhje përfundimtare për këtë sfidë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: