Aktuale
Vandalizëm në Shkup: Digjen disa kontejnerë, Gjorgjievski kërkon përfshirjen e kamerave të sigurisë për kapjen e autorëve
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë natës së kaluar, disa kontejnerë mbeturinash janë përfshirë nga flakët në lagjen Novo Lisiçe dhe përgjatë bulevardit "Brigada Maqedonase-Kosovare" në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Ngjarja ka nxitur reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të ndërhyjë urgjentisht për identifikimin e autorëve.
"I bëj thirrje Ministrisë së Brendshme që menjëherë të kontrollojë regjistrimet nga 'Qyteti i Sigurt', të gjejë autorët dhe të hetojë nëse zjarrvënia është e organizuar dhe e motivuar politikisht. Kërkoj përgjegjësi!", ka theksuar Gjorgjievski në njoftimin e tij.
Sipas kreut të komunës, ky akt shkatërrues përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pasurisë publike dhe interesave të qytetarëve, sidomos në një kohë kur autoritetet lokale kanë investuar në përmirësimin e infrastrukturës së pastërtisë.
"Në kushtet kur blemë 3,300 kontejnerë të rinj dhe zgjidhëm problemin me mbeturinat, është e qartë se dikush nuk e do Shkupin dhe zhvillimin e qytetit. Ky është një sulm ndaj të gjithë banorëve të Shkupit dhe ndaj pronës së përbashkët, të paguar me paratë e tyre. Dhe nëse dikush mendon se kjo po më dëmton mua personalisht, po gënjen! Po dëmton qytetin, këta kontejnerë u blenë me paratë e banorëve të Shkupit!", u shpreh ai.
Në vijim të prononcimit të tij, Gjorgjievski bëri të ditur se së shpejti do të përfundojë vendosja e 200 kamerave të reja nëpër qytet, masë kjo që do të rrisë sigurinë dhe do të lehtësojë ndjekjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
"Nuk do të lejojmë askënd të luajë me qytetin. Nuk ka lojë me ligjet", përfundoi kryetari i Shkupit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: