Ekonomi
Blerja e shtëpisë luksoze në Prishtinë: Arbërie Nagavci shmang përgjigjet për çmimin dhe akuzon për shpifje
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas publikimit të hulumtimit mbi blerjen e një shtëpie në një prej zonave më elitare të kryeqytetit, por ka shmangur dhënien e detajeve se si ka arritur ta sigurojë pronën për shumën prej 237 mijë eurosh, në një lagje ku çmimet e banimit nisin nga 380 mijë euro.
Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ish-Ministrja e Arsimit ka preferuar të mos japë sqarime konkrete rreth transaksionit financiar, duke e cilësuar raportimin si “shpifje”, pa ofruar megjithatë argumente shtesë për këtë pretendim.
“E njëjta shpifje është përhapur edhe para disa muajsh, madje edhe nga i njëjti portal. Atëherë kam dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme dhe nuk kam ndërmend t’i përsëris sa herë që dikush vendos të riciklojë të njëjtat të pavërteta”, ka shkruar Nagavci në reagimin e saj.
Përveç refuzimit për të sqaruar çmimin e blerjes së shtëpisë, Nagavci ka adresuar kritika të ashpra ndaj mënyrës se si është trajtuar tema, duke dhënë vlerësime për standardet e punës mediatike.
“Kjo nuk është gazetari profesionale. Është joprofesionalizëm flagrant dhe shpërfillje e standardeve më elementare të gazetarisë. Për më tepër, askush nga ky portal nuk më ka kontaktuar për të marrë qëndrimin tim. Liria e medias nuk është licencë për shpifje, manipulim dhe denigrim”, ka potencuar ndër të tjera ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: