Si po i nxit “ari i përgjakur” konfliktet në Afrikën Perëndimore

Publikuar më: 07-07-2025 06:42
Ky ka qenë vit i mirë për arin. Një sërë zhvillimesh të turbullta në ekonominë globale i kanë rritur çmimet e këtij metali të çmuar në nivele rekord në vitin 2025. Në një botë të karakterizuar nga tarifat tregtare dhe konfliktet ndërkombëtare, ari shihet nga investitorët si një nga asetet e pakta të qëndrueshme. Të gjithë duan të përfitojnë – duke filluar nga bankat qendrore dhe institucionet e mëdha financiare, deri te investitorët individualë. Por pak e dinë se nga vjen ari i tyre, apo se çfarë konfliktesh mund të nxisë në vendet ku nxirret. Për qeveritë e rajonit të Sahelit në Afrikën Perëndimore, rreziku është edhe më i madh. Ari është burim jetik për regjimet ushtarake në Burkina Faso, Mali dhe Niger, të cilat përballen me kryengritje xhihadiste, izolim rajonal dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. “Për shkak se çmimet e arit kanë qenë në nivele historike… regjimet ushtarake shpresojnë të përfitojnë drejtpërdrejt”, ka thënë për BBC-në, Beverly Ochieng, një hulumtuese e lartë në firmën globale të konsulencës “Control Risks”. Sipas vlerësimeve të Këshillit Botëror të Arit, tri shtetet e Sahelit së bashku prodhojnë rreth 230 tonë ar në vit – që përkthehet në rreth 15 miliardë dollarë, nëse bazohemi në çmimet aktuale të tregut. Mungesa e të dhënave për minierat artizanale dhe ato me shkallë të ulët të nxjerrjes së arit nënkupton se kjo shifër ka gjasa të jetë e nënvlerësuar. Prodhimi i kombinuar i arit në këto tri vende e tejkalon çdo shtet tjetër në Afrikë, duke e kthyer rajonin e Sahelit në një kontribuues të madh global në tregun e arit. Qeveritë kanë pretenduar se të ardhurat nga ky sektor fitimprurës po u shërbejnë qytetarëve nëpërmjet “sovranitetit” të shtuar – megjithëse kompanitë ruse po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në kurriz të firmave perëndimore. Për shembull, udhëheqësi i regjimit ushtarak në Mali, gjenerali Assimi Goïta, veçse e kishte hedhur gurthemelin për një rafineri të arit në muajin e kaluar, në të cilën konglomerati rus – “Grupi Yadran” – do të jetë aksionar. Nga rafineria pritet që të krijohen 500 vende të drejtpërdrejta të punës dhe 2,000 vende të tjera në mënyrë të tërthortë. Burkina Faso, gjithashtu po e ndërton rafinerinë e saj të parë të arit, si dhe e ka krijuar një kompani shtetërore për mineralet, duke i detyruar kompanitë e huaja t’i japin asaj 15 për qind të aksioneve në operacionet lokale dhe t’i transferojnë kapacitetet te qytetarët burkinas. E madje janë nisur edhe fushata mediatike të rreme, të krijuara me inteligjencë artificiale, për ta lavdëruar liderin ushtarak e karizmatik të vendit, kapitenin 37-vjeçar Ibrahim Traoré, për menaxhimin e këtij burimi të rëndësishëm të të ardhurave për kombin. “Gërmojmë ar nga dheu më i thellë. Por shpirtrat janë të pasur e të sinqertë”, dëgjohet duke kënduar një version i krijuar nga AI (Inteligjenca Artificiale) i këngëtares amerikane Rihanna në një këngë të fundit, ku lartësohet udhëheqja e kapitenit Traoré. Financimi i fushatave kundër kryengritësve Por realiteti është shumë më ndryshe, sipas Ochieng, e cila ka shpjeguar se Burkina Faso dhe fqinjët e saj kanë nevojë për para të shpejta, në mënyrë që t’i financojnë fushatat kundër kryengritësve. Në rastin e Malit, një pjesë e madhe e kësaj përpjekjeje u është besuar mercenarëve rusë, përfshirë Grupin Wagner dhe pasuesin e tij “Africa Corps”, që ndodhet nën komandën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes. “Africa Corps” është përfshirë në trajnime ushtarake në Burkina Faso, por regjimi ushtarak atje e ka mohuar zyrtarisht praninë e saj. Megjithëse transparenca e shpenzimeve publike në këto vende është e dobët, besohet se qeveritë e përqendrojnë një pjesë të madhe të buxhetit të tyre në fushën e sigurisë kombëtare. Shpenzimet ushtarake në Mali janë trefishuar që nga viti 2010, duke arritur në 22% të buxhetit kombëtar deri në vitin 2020. Qeveritë po luftojnë kundër grupeve xhihadiste të lidhura me al-Qaedan dhe Shtetin Islamik (IS). Mirëpo organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” (HRW) e ka akuzuar qeverinë maliane dhe Grupin Wagner për mizori ndaj civilëve, përfshirë vrasje të paligjshme, ekzekutime pa procese gjyqësore të mirëfillta dhe tortura. Ajo ka dokumentuar mizori të ngjashme edhe nga ushtria e Burkina Fasos dhe grupet paraushtarake të saj. Sipas Alex Vines, nga instituti britanik i studimeve “Chatham House”, Grupi Wagner dhe tanimë “Africa Corps” zakonisht paguhen për shërbimet e tyre nëpërmjet arit ose koncesioneve minerare. “Shumë pak [nga të ardhurat e arit] shkojnë për qytetarët e Malit dhe Burkina Fasos”, ka thënë ai për BBC-në, tek ka shtuar se madje edhe vetë kryengritësit e armatosur mund të përfitojnë nga ari. Që nga grusht-shteti në Mali në vitin 2021, taktikat brutale të qeverisë kundër komuniteteve që dyshohen se strehojnë apo simpatizojnë xhihadistët janë intensifikuar, duke shtyrë më shumë civilë t’u bashkohen pikërisht këtyre grupeve që qeveria po përpiqet t’i luftojë. “Jamaat Nusrat al-Islam wal-Muslimin” (JNIM), një degë e al-Qaeda-s dhe grupi më aktiv xhihadist në rajon, e ka kryer një numër të pashembullt sulmesh kundër ushtrisë së Burkina Fasos në gjysmën e parë të vitit 2025 – që shërben si tregues i qartë i fuqizimit të këtij grupi. Grupet e armatosura po përfitojnë, gjithashtu në aspektin financiar edhe nga etja globale për ar. Një pjesë e madhe e nxjerrjes së arit në Sahel vjen nga sektori artizanal dhe me shkallë të ulët të nxjerrjes, i cili shpeshherë përshkruhet nga informaliteti – që do të thotë se ndodh në zona pa licencë dhe pa deklarim, larg mbikëqyrjes shtetërore – sipas një raporti të vitit 2023 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC). Grupet e armatosura, përfshirë ato xhihadiste, si dhe vetë qeveritë e rajonit të Sahelit, janë në konkurrencë midis njëra-tjetrës për kontrollin e shumë prej këtyre minierave të vogla të arit. Ari e përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave për grupet militante, të cilat konsiderohet se po e zgjerojnë ndikimin e tyre territorial në Mali dhe Burkina Faso. Në UNODC kanë pretenduar se shumica e arit nga kjo formë e minierave përfundon në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), një qendër globale për rafinimin dhe tregtinë e arit. “Shihen raste kur grupet ekstremiste e të dhunshme shtrihen në zonat e prodhimit artizanal për ta marrë kontrollin”, ka thënë Vines. Rritja e çmimeve globale të arit mund të jetë duke e zgjatur dhe përkeqësuar konfliktin në Sahel – por, fatkeqësisht, për punëtorët që gërmojnë në minierat artizanale kjo nuk ka sjellë rritje të pagave të tyre. Një minator nga rajoni Kidal në pjesën veriore të Malit kishte pranuar t’u përgjigjej me shkrim pyetjeve të BBC-së me kusht që të mbetej anonim, për shkak të frikës për sigurinë e tij. Ai ka vlerësuar se, në një “ditë të mirë”, fiton afërsisht 18 deri në 36 dollarë. Shuma që ai paguhet nuk është rritur në përputhje me çmimet globale të arit, ka bërë të ditur burimi anonim. “Çmimet u rritën, por përfitimet shtesë shkojnë te pronarët e minierave… Është punë me rrezik dhe e pasigurt, por për shumë prej nesh është e vetmja mundësi”, ka shtuar ai. Metal i konfliktit Vines, i cili më parë ka punuar si hetues për diamantet e përgjakura në Kombet e Bashkuara (OKB), e ka shprehur shqetësimin se ari është kthyer në metalin kryesor të konfliktit në Afrikë. Ai ka theksuar se ari ende nuk e ka marrë të njëjtën vëmendje ndërkombëtare sikurse diamantet, që po ashtu kanë nxitur gjakderdhje në disa shtete afrikane gjatë shekullit të 20-të, veçanërisht përgjatë viteve të 90-ta. Ndërhyrja e grupeve për të drejtat e njeriut dhe e OKB-së e ka shtyrë themelimin e Skemës së Certifikimit të Procesit të Kimberley në vitin 2003, e cila luajti një rol të madh në ndalimin e shitjes së të ashtuquajturave “diamante të përgjakura” në tregun e hapur. Ndonëse përpjekjet për ta frenuar “arin e përgjakur”, kanë qenë pakrahasimisht më pak të suksesshme. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të mungesës së standardeve të përbashkëta etike. Shoqata e Tregut të Arit të Londrës (LBMA), një autoritet i rëndësishëm në tregun e arit, ka kërkuar që rafineritë të përmbushin standarde të bazuara në udhëzimet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Zbatimi i këtyre rregullave nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ka qenë historikisht i paqëndrueshëm. Në vitin 2021, EBA i pati njoftuar standardet e veta etike për minierat e arit – megjithatë zbatimi i këtij kuadri mbetet vullnetar. Çështja e zbatimit ka shkaktuar tensione në të kaluarën mes këtij shteti të Gjirit Persik dhe LBMA-së. Teknologjia e gjurmimit e përbën një pengesë tjetër. “Nuk ka ‘testim ADN-je’ për arin. Me shumë përpjekje mund t’i gjurmosh diamantet para se të priten e lustrohen… Por nuk kam parë ndonjë mënyrë për ta gjurmuar origjinën e një cope ari”, është shprehur Vines. Ari shkrihet herët, gjë që e bën pothuajse të pamundur gjurmimin dhe lidhjen e tij me zonat e mundshme të konfliktit. Vines ka argumentuar se është shumë e mundshme që një pjesë e “arit të përgjakur” nga Saheli të përfundojë nëpër tregjet britanike. “[Ari] shkrihet në EBA, pastaj përfundon në industrinë e prodhimit të bizhuterive, në stomatologji, ose në formën e shufrave. Disa prej tyre qartazi nisen për në Britaninë e Madhe. Dhe sapo arrijnë këtu, nuk ka mënyrë për të testuar se çfarë janë”. Një zyrtar nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka thënë për BBC-në se vendi e kishte “një kuadër të fuqishëm rregullator për ta maksimizuar sigurinë, integritetin dhe transparencën e çdo transaksioni të arit, të mbështetur nga veprime rigoroze të zbatimit”. Proceset e EBA-së ishin në përputhje me udhëzimet e OECD-së dhe në disa raste i tejkalonin ato, ka njoftuar zyrtari, tek ka shtuar se “ato mbështeten nga procedura të detyrueshme kundër pastrimit të parave dhe verifikimit të klientëve, auditimit vjetor dhe zbatimit të plotë në çdo pikë të hyrjes”. Vines ka thënë se një tjetër arsye pse është e vështirë të përsëritet suksesi i “Procesit të Kimberleyt” është sepse sistemi i certifikimit nuk është krijuar për të trajtuar qeveri shtetërore. “Kimberley ishte krijuar për të trajtuar aktorë joshtetërorë në vende si Sierra Leone dhe Liberia”, ka theksuar ai. Për momentin, rëndësia që e ka ari për qeveritë e Sahelit dhe zbatimi i pjesshëm i standardeve etike do të thotë se ky metal ka shumë gjasa që të vazhdojë të kalojë dorë më dorë – pavarësisht nga origjina e tij. Fatkeqësisht për disa komunitete në Sahel, kjo mund të nënkuptojë se ato do ta bartin barrën më të madhe për tregtinë me “ar të përgjakur”.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu