Kronikë
Tragjedi në Greqi: Dy zjarrfikës humbin jetën pas shembjes së një ndërtese gjatë operacionit të shpëtimit
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë mesditën e së shtunës, ku një operacion për shuarjen e flakëve në një objekt të braktisur në Zefiri, në bashkinë e Filit, përfundoi në tragjedi. Dy zjarrfikës, të moshës 23 dhe 44 vjeç, kanë ndërruar jetë pasi pjesë të ndërtesës u shembën mbi ta gjatë ndërhyrjes, ndërsa një tjetër efektiv mbeti i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e sakta të vdekjes së dy viktimave. Hetuesit po verifikojnë nëse humbja e jetës së tyre erdhi si pasojë e asfiksisë nga tymi dhe kushtet e rënda brenda godinës, apo nëse ata u zunë në kurth nga materialet ndërtimore që u shembën papritur.
Alarmi për zjarrin në ndërtesën e braktisur në rrugën “Katsantoni” u dha rreth orës 11:40. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta, përfshirë 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga stacionet e ndryshme të Athinës, si dhe ekipi special i EMAK-ut. Gjatë përpjekjeve për të vënë flakët nën kontroll, shembja e papritur e strukturës krijoi një situatë kritike, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për nxjerrjen e personave të bllokuar.
Njëri nga zjarrfikësit u nxor nga rrënojat pa shenja jete dhe u dërgua me ambulancën e EKAB-it drejt spitalit “Attikon”, ndërsa një koleg i tij u nxor i plagosur. Përpjekjet e ekipeve të shpëtimit për të gjetur zjarrfikësin e tretë përfunduan me konfirmimin e hidhur të humbjes së jetës së dy efektivëve në total.
Aktualisht, Njësia Hetimore për Krimet e Zjarrit në Athinë ka nisur një hetim të detajuar për të zbardhur shkaqet e shpërthimit të zjarrit dhe rrethanat teknike që çuan në shembjen e ndërtesës. Pritet që rezultatet e hetimeve të hedhin më shumë dritë mbi këtë incident tragjik që preku radhët e forcave zjarrfikëse greke.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: