Hysaj: Kosova po e ndjek rrugën e Bosnjës – nga identiteti kombëtar tek ai fetar
Publikuar më: 07-07-2025 06:27
Regjisori dhe profesori Fadil Hysaj në podcastin "PIKË" me Veton Surroin, ngre shqetësimin se pas pavarësisë po shfaqet një tendencë për zhvendosjen e identitetit shqiptar në atë fetar në Kosovë, ngjashëm me atë që ndodhi në Bosnje gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ai theksoi se ndryshe nga vendet perëndimore ku asimilimi është shpesh i vullnetshëm dhe i lidhur me përparimin socio-ekonomik, në hapësirat ish-jugosllave, përkatësisht në Kosovë, nuk ka pasur ndonjë politikë të qartë dhe joshëse që shqiptarëve t’u ofrohej një alternativë më e mirë identitare, që mund të sillte zhvillim, arsimim dhe përfshirje më të gjerë në jetën institucionale.
Sipas Hysajt, një nga tendencat shqetësuese që ka nisur pas shpalljes së pavarësisë është ripozicionimi i identitetit të shqiptarëve të Kosovës drejt përkatësisë fetare.
“Dikur lajmi për Kosovën ishte: 90% shqiptarë. Sot po na serviret një lajm i ri: 90% myslimanë”, ka thënë ai, duke aluduar se ky nuk është zhvillim spontan, por proces i ushqyer edhe nga faktorë të jashtëm që mund të kenë qëllime politike e ideologjike.
“Vetë kjo lloj shifre, e kombinuar me parada, presione apo prezencë të islamit politik e radikal, na çon te një krahasim i dhimbshëm – ngjashëm me atë që ndodhi në Bosnje gjatë kohës së Titos, ku identiteti boshnjak u zëvendësua me një identitet ekskluzivisht fetar: mysliman. Dhe ashtu mbeti edhe sot”, shtoi Hysaj.
Në këtë bashkëbisedim, si Surroi ashtu edhe Hysaj theksuan se mungesa e një vizioni të qartë për identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe rajon e ka lënë këtë hapësirë të ekspozuar ndaj projekteve të ndryshme që shpesh janë të maskuara si “alternativa shpëtimi”, por që në thelb mund të dobësojnë lidhjen e qytetarëve me identitetin e tyre historik e gjuhësor.
“Jemi në një moment të ndjeshëm, kur duhet me e kuptu qartë se cilin identitet po ruajmë dhe çfarë lloj shoqërie po ndërtojmë”, deklaroi Hysaj.
🔙 Kthehu