Politikë
Opozita serbe: Ndërrimi i fytyrave, por ruajtja e ideologjisë së Millosheviqit ndaj Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Si sociolog, vlerësoj se qëndrimi i opozitës serbe ndaj Kosovës nuk duhet parë thjesht si një shpresë për një qasje më liberale. Përkundrazi, ai pasqyron thelbin e vizionit të tyre politik për qeverisjen e vendit dhe raportet e ardhshme me fqinjët, veçanërisht me Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Republikën e Kosovës. Nëse 'Lista e studentëve' në Serbi vazhdon të mbajë gjallë të njëjtin kurs ultranacionalist të trashëguar nga regjimi i Millosheviqit dhe ai aktual i Vuçiqit, atëherë duhet të jemi tejet vigjilentë. De facto dhe de jure, kemi të bëjmë vetëm me një rotacion të aktorëve politikë, pa ndonjë ndryshim rrënjësor të kursit qeverisës, emancipimit apo denazifikimit të domosdoshëm të mentalitetit dhe kulturës politike serbe.
Dokumenti që shpërfaq orientimin e opozitës së re serbe zbulon një paradoks shqetësues, të cilin institucionet tona, mediet dhe shoqëria civile duhet ta vendosin në qendër të vëmendjes. Nën petkun e një 'folklorizmi' demokratik si alternativë ndaj Vuçiqit, opozita serbe duket se po riprodhon të njëjtën matricë ideologjike dhe territoriale. Pas kësaj fasade, fshihen argumente sociologjike kontradiktore që dëshmojnë se ata nuk kanë lëvizur asnjë milimetër nga politikat e kaluara.
Argumenti i parë kundërthënës qëndron në faktin se, ndonëse opozita pretendon demokratizimin e brendshëm të Serbisë, ajo mohon vlerat demokratike kur bëhet fjalë për fqinjët. Është absurde të kërkosh demokraci për vete, duke i mohuar njëkohësisht shtetit fqinj subjektivitetin politik dhe të drejtën për vetëvendosje. Ky diskurs, identik me atë të regjimit aktual, e trajton Kosovën si objekt të vullnetit kushtetues serb, duke sfiduar çdo parim të marrëdhënieve të barabarta ndërkombëtare.
Argumenti i dytë lidhet me narracionin shovinist, i cili, edhe nëse përdoret për konsum të brendshëm, mbetet i rrezikshëm. Kur opozita serbe thirret në Rezolutën 1244 dhe në Preambulën e Kushtetutës së Serbisë, ku Kosova trajtohet ende si pjesë përbërëse e saj edhe pas tri dekadash, ajo konfirmon se nuk ka hequr dorë nga synimet hegjemoniste. Kjo qasje dëshmon se hija e së kaluarës mbetet ende e pranishme në strukturat e reja politike në Beograd.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: