Sport
Asllani paralajmëron fitore në Bjellorusi: Kërkojmë maksimumin me karakter dhe agresivitet
Reklamë e Sponsorizuar
Në prag të sfidës së Ligës së Kombeve (Liga C) kundër Bjellorusisë, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, ka shfaqur vendosmëri të plotë për të marrë tri pikët. Në një prononcim për mediat, ai bëri të ditur se skuadra është përgatitur maksimalisht dhe është fokusuar plotësisht te ky takim i rëndësishëm.
“Gjendja jonë është optimale. Kemi përfunduar seancën e fundit stërvitore dhe jemi të përqendruar te studimi i kundërshtarit. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ata kanë një ekip mjaft fizik, por ne do të zbresim në fushë me shumë karakter dhe agresivitet për të kërkuar vetëm fitoren”, deklaroi Asllani.
Duke iu referuar fanellës së Kombëtares, mesfushori theksoi se angazhimi duhet të jetë gjithmonë në nivelin më të lartë. Ai u shpreh i kënaqur me performancën e ekipit në përballjen e kaluar ndaj Finlandës dhe kërkoi të njëjtin përkushtim edhe ndaj bjellorusëve. Asllani nënvizoi se mungesa e Ylber Ramadanit nuk do të përbëjë problem, pasi forca e Shqipërisë qëndron te grupi dhe jo te individët.
I pyetur për rolin e tij të ri në fushë, ku po luan më i avancuar, talenti kuqezi u shpreh entuziast: “Trajneri kërkon një futboll agresiv dhe rotacione të vazhdueshme. Ky sistem më jep më shumë hapësirë për të avancuar dhe për të goditur portën, diçka që po e shijoj vërtet. Në fillim na u desh kohë për t’u përshtatur, por tani po zhvillojmë një rrugëtim shumë pozitiv si grup”.
Për sa i përket mundësisë së një goli personal, Asllani u tregua modest, duke vënë interesin e skuadrës mbi atë personal: “Nuk jam sulmues, por natyrisht që do të më pëlqente të shënoja. Megjithatë, e rëndësishmja është të marrim fitoren dhe të festojmë të gjithë së bashku pas ndeshjes”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: