Politikë
Kriza e terminëve mjekësorë: Ministri Klekovski paralajmëron ndryshime ligjore dhe zgjidhje të reja
Reklamë e Sponsorizuar
Sfidat me sigurimin e terminëve për kontrolle mjekësore dhe vonesat e vazhdueshme në marrjen e rezultateve vijojnë të jenë një brengë e madhe për qytetarët. Shpesh, kalvari i pritjes nuk mbyllet me kryerjen e ekzaminimit, pasi edhe pas daljes së analizave, interpretimi i tyre vonohet. Lidhur me këtë situatë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka theksuar se ky nuk është një fenomen i izoluar, por një sfidë me përmasa ndërkombëtare.
"Fakti që mungojnë mjekët, infermierët dhe terminët nuk është vetëm një sfidë e vendit tonë, por një problem global", u shpreh ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas Klekovskit, në shumicën e rasteve, ngërçet dhe vonesat janë pasojë e drejtpërdrejtë e deficitit të stafit mjekësor. Ai bëri të ditur se po analizohet seriozisht mundësia që procedurat dhe kontrollet e thjeshta të mos kryhen ekskluzivisht nga mjekët, por t'i besohen edhe profileve të tjera të punonjësve shëndetësorë.
“Për shembull, në Zhirovnicë kemi një farmaci, por nuk kemi mjek. A duhet që aty të mundësohet matja e tensioni i gjakut ose të bëhet kontrolli i sheqerit në gjak, por këto fillimisht duhet të jenë pjesë e shërbimeve që ligjërisht do të lejohen. Bëhet fjalë për një propozim që prej më shumë se dy vitesh qëndron i lënë mënjanë dhe është harruar. Qëllimi im është që kudo ku ka një punonjës shëndetësor të trajnuar, pavarësisht nëse është infermier, mjek apo farmacist, të mundësohet kryerja e kontrolleve të thjeshta, si matja e tensionit të gjakut, matja e nivelit të glukozës në gjak dhe të ngjashme”, deklaroi ministri Klekovski.
Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut mban vendin e parë në rajon sa i përket shkallës së vdekshmërisë nga patologjitë kardiovaskulare. Statistikat e vitit 2025 tregojnë se 6888 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtyre sëmundjeve, ndërsa shkalla e vdekshmërisë llogaritet në 37,4% për 1000 banorë. Sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, së bashku me gjendjet si diabeti i padiagnostikuar, mbeten ndër rreziqet më serioze për shëndetin publik, pavarësisht se procesi i diagnostikimit të tyre mund të realizohet me lehtësi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: