Kronikë
Limaj lëshon akuza të forta ndaj Hagës: Në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nuk kuptohej kush është prokuror e kush gjyqtar
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka hedhur dyshime serioze mbi integritetin dhe paanshmërinë e trupit gjykues në procesin penal që po zhvillohet në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Gjatë një paneli diskutimi me temë “Kosova pas 16 shtatorit”, kreu i Nismës ka vënë në pah shqetësimet e tij rreth mbarëvajtjes së këtij gjykimi, duke theksuar se në një sistem të drejtësisë, gjyqtari duhet të veprojë në mënyrë neutrale dhe të garantojë barazinë mes palëve, ndërsa barra e provës i takon ekskluzivisht akuzës.
“Për të akuzuarin nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa me pas një trup gjykues përpara i cili jep siguri, siguri që po zbatohet ligji, siguri që është i aftë, që ka integritet. Ajo që unë kam parë në këtë rast është se trupi gjykues në sistemin e drejtësisë çfarë është gjykuar katërshja, barra e provës i takon prokurorisë, ai që të akuzon, gjyqtari është i heshtur, trupi gjykues është i heshtur, ai është neutral, ai balancon, ai dëgjon fakte dhe prova nga palët, mbrojtja në njërën anë dhe prokuroria në anën tjetër. Gjyqtari kurrë nuk merr një rol aktiv ndaj njërës apo tjetrës palë. I predispozuar trupi gjykues më shumë me ru, me mbrojt të drejtën e të akuzuarit se sa me ndihmu prokurorinë në sallë të gjyqit”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, trupi gjykues në Hagë ka shfaqur një aktivizim të tejskajshëm dhe shqetësues në pyetjen e dëshmitarëve, duke u sjellë në praktikë si një zgjatim i organit të akuzës.
“Çfarë kemi parë ne? Në këtë proces gjyqësor, kushdo që ka përcjellë, kemi parë një trup gjykues i cili, për mua ka qenë shokante, që ka qenë dorë e zgjatur, ka qenë aktiv gjatë procesit gjyqësor në marrje, pyetje dhe në vetë procesin e prokurorisë. Janë 74 orë të gjyqtarëve, të cilët kanë bërë pyetje, 74 orë në proces gjyqësor kanë qenë aktiv në procesin gjyqësor, dhe pyetjet e tyre kanë qenë pyetje të prokurorit. Aty ku e ka lënë, ka vazhduar gjyqtari, dyfishin e asaj të prokurorit”, ka shtuar ai.
Për të ilustruar këtë dallim, Limaj ka sjellë në vëmendje edhe përvojën e tij personale nga procesi gjyqësor ndaj tij në Hagë, ku kishte vërejtur një qasje krejtësisht ndryshe dhe në mbrojtje të standardeve ligjore.
“Për me ilustruar një shembull që kjo s’bëhet, në rastin tim, në Hagë, për dy vjet gjykim, shtatë pyetje ka bërë gjykata, trupi gjykues në rastin tim, për dy vjet vetëm shtatë pyetje, të shtatë pyetjet e kanë qenë në favorin e mbrojtjes. Intervenimi që gjykata e ka pasur në drejtim në dhomën e gjyqit kanë qenë të shtatë pyetjet në favorin e mbrojtjes, duke e ruajtur integritetin e procesit gjyqësor. Nuk e ka lejuar prokurorinë me dalë jashtë rregullave dhe standardeve”, u shpreh ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Limaj ka përsëritur se në rastin e ish-krerëve të UÇK-së kufiri mes prokurorit dhe gjyqtarit është bërë i padallueshëm, duke cënuar kështu rëndë parimin e barazisë së armëve.
“Në rastin këtu, e keni pasur problem me pa se cili është prokurori, cili është gjyqtari, edhe kjo tregon mungesë të integritetit të këtij gjyqtari. Kjo tani pastaj e dëmton të ashtuquajturin barazinë e armëve. Barazia e armëve, është kur të dy palët kanë mundësinë dhe të drejtën e barabartë të shfaqin provat e veta, mbrojtjen e vet, ose akuzat e veta para trupit gjykues. Dhe për të qenë barazia e armëve e garantuar është ai trup gjykues që garanton të drejtat e barabarta, dhe ai trup gjykues nuk merr krah në proces gjyqësor të asnjërës palë. Tjetra që ka munguar në këtë proces gjyqësor është standardi i provës. Nesër keni me mësuar praktikën juridike ju këtu, është shumë me rëndësi”, ka përfunduar Limaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: