Politikë
Moti i keq në Shkodër, Prefektura jep bilancin zyrtar: S’ka banesa të përmbytura, ndërhyrje në akset rrugore
Reklamë e Sponsorizuar
Përkundër reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë territorin e qarkut të Shkodrës, situata paraqitet e qetë sa i përket banesave, pasi deri më tani nuk regjistrohet asnjë rast përmbytjeje në zonat e banuara.
Në Njësinë Administrative Shalë, ekipet e terrenit janë angazhuar intensivisht për pastrimin e dherave dhe inerteve, me qëllim zhbllokimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim.
Në Bashkinë e Malësisë së Madhe, konkretisht në fshatin Kamicë të Njësisë Administrative Qendër, prurjet e mëdha në Përroin e Thatë vazhdojnë të vështirësojnë lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve, ndonëse nuk ka pasur vërshime uji drejt banesave.
Ndërkohë, strukturat vendore të Mbrojtjes Civile në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportojnë ndonjë shqetësim apo problematikë serioze gjatë kësaj kohe.
Të dhënat nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë tregojnë se gjatë dy ditëve të fundit ka pasur reshje të bollshme në terrenet malore, ndërsa në ato fushore niveli ka arritur në rreth 25 milimetra. Deri tani, sistemi i kullimit dhe mbrojtjes nga ujërat nuk paraqet dëmtime apo funksionim të mangët.
Grupet e terrenit po vijojnë gjithashtu inspektimet nga afër përgjatë shtratit të lumit Kir, për të mbajtur nën kontroll gjendjen hidrike.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëngjitje me pushtetin vendor dhe agjencitë e Mbrojtjes Civile, mbetet në terren duke mbikëqyrur situatën dhe koordinuar hapat e nevojshëm në pikat më të ndjeshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve, sidomos atyre që jetojnë në zonat malore, që të bëjnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve, të shmangin segmentet rrugore të dëmtuara dhe zonat pranë përrenjve me prurje të larta, si dhe të ndjekin me vëmendje udhëzimet zyrtare.
E gjithë situata po ndiqet hap pas hapi dhe opinion publik do të njoftohet në kohë reale për çdo ndryshim të mundshëm.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: