Kronikë
Inspektimi zbulon mangësi në QPS-në e Pejës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kërkohet përmirësim i shërbimeve
Reklamë e Sponsorizuar
Qendra për Punë Sociale në Pejë ka dalë me një sqarim zyrtar për opinionin publik, pasi Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare ka publikuar Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm lidhur me rastin tragjik të vrasjes së Arlinda Zekajt, ngjarje kjo e shënuar më 25 tetor 2026.
Në dokumentin e inspektimit janë evidentuar disa të meta që kërkojnë ndërhyrje dhe ngritje cilësore në punën e kësaj qendre. Këtu përfshihet nevoja për plotësimin dhe përdorimin e rregullt të formularëve standardë, respektimin e rreptë të afateve ligjore për dërgimin e raporteve në gjykatë, ngritjen e cilësisë në monitorimin e rasteve, si dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale.
Gjithashtu, inspektorati ka vënë në pah domosdoshmërinë e definimit më të saktë të kompetencave dhe përgjegjësive institucionale mes Qendrës për Punë Sociale dhe Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, për të shmangur çdo paqartësi në të ardhmen.
Në reagimin e lëshuar nga institucioni, QPS Pejë ka radhitur një sërë hapash që thotë se i ka ndërmarrë gjatë menaxhimit të këtij rasti të ndjeshëm. Ndër to përfshihen vizita të vazhdueshme në terren, vlerësime të mirëfillta profesionale, koordinim i ngushtë me institucionet shkollore dhe shëndetësore, si dhefaqësimi institucional në instancat gjyqësore.
Sipas QPS-së, menjëherë pas ndodhjes së kësaj ngjarjeje tronditëse, janë ndërmarrë hapa urgjentë për të garantuar mbrojtjen e fëmijës, sigurimin e një strehimi të mbrojtur dhe caktimin e kujdestarit ligjor.
Në vijim gjendet sqarimi i plotë i lëshuar nga Komuna:
Sqarim për opinionin publik lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë
Qendra për Punë Sociale në Pejë, pas pranimit dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm të realizuar nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare, në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, lidhur me trajtimin e rastit të rëndë, që ka ndodhur në Komunën e Pejës, konsideron të nevojshme të informojë opinionin publik lidhur me angazhimin institucional, veprimet profesionale të ndërmarra dhe rekomandimet e evidentuara në këtë raport.
ANGAZHIMI DHE VEPRIMET PROFESIONALE TË QPS-SË:
Raporti i Inspektimit dokumenton një sërë veprimesh dhe intervenimesh profesionale të ndërmarra nga Qendra për Punë Sociale në Pejë gjatë trajtimit të rastit.
Gjatë kësaj periudhe, punonjësit socialë dhe profesionistët përgjegjës kanë vepruar në kuadër të mandatit dhe kompetencave të tyre ligjore, duke u përballur me rrethana komplekse dhe tejet të ndjeshme familjare e sociale.
Ndër veprimet kryesore të ndërmarra nga QPS Pejë veçojmë:
1. Intervenimin fillestar dhe kujdestarinë 24-orëshe:
QPS Pejë ka reaguar ndaj kërkesës së Stacionit Policor në Pejë, duke angazhuar punonjësin social në kuadër të kujdestarisë 24-orëshe. Gjatë intervenimit fillestar është realizuar bashkëbisedimi me fëmijën, janë vlerësuar rrethanat familjare dhe është marrë parasysh mosha, pjekuria dhe vullneti i tij.
2. Vlerësimet profesionale dhe vizitat në terren:
Gjatë menaxhimit të rastit janë realizuar vizita në terren në vendbanimet e palëve, vlerësime të gjendjes socio-ekonomike, bashkëbisedime me prindërit dhe familjarët, si dhe mbledhja e informacioneve relevante për rrethanat familjare dhe mirëqenien e fëmijës.
3. Bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe shëndetësore:
QPS ka kërkuar dhe siguruar raporte nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë. Këto raporte kanë shërbyer si bazë profesionale për vlerësimin e gjendjes emocionale dhe psikologjike të fëmijës dhe për përcaktimin e hapave të mëtejshëm.
4. Respektimin e interesit dhe vullnetit të fëmijës:
Një aspekt me rëndësi të veçantë në trajtimin e rastit ka qenë respektimi i së drejtës së fëmijës për t’u dëgjuar dhe për të shprehur pikëpamjet e tij. QPS ka marrë parasysh vlerësimet e profesionistëve dhe gjendjen emocionale të fëmijës, duke rekomanduar përgatitje graduale psikologjike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: