Sport
Dion Kaçuri rrëfen prapaskenat e kalimit te Dardanët: Zemra ime zgjodhi Kosovën
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti i talentuar Dion Kaçuri ka ndarë me publikun detaje të reja lidhur me vendimin e tij për të veshur fanellën e Kombëtares së Kosovës, duke sqaruar se kjo zgjedhje erdhi si rrjedhojë e emocioneve dhe lidhjes së fortë emocionale e familjare me vendin e tij të origjinës.
Mesfushori 22-vjeçar, i cili në të kaluarën ka mbrojtur ngjyrat e Zvicrës në të gjitha grupmoshat e reja, ka saktësuar se braktisja e helvetikëve nuk ka qenë një qëndrim kundër tyre, por thjesht një hap i ndërmarrë në mbështetje të Kosovës.
Kaçuri ishte një nga prurjet e reja të trajnerit Franco Foda gjatë grumbullimeve të shtatorit dhe tetorit, ndërsa paraqitjen e tij të parë si titullar e regjistroi në ndeshjen e mbyllur pa gola ndaj Izraelit.
Gjatë një rrëfimi të zgjeruar në podcastin “Story Times”, lojtari ka evokuar hapat e karrierës së tij, duke ndalur theksin te momenti vendimtar i ndryshimit të përfaqësueses.
“Mendoj se shumica e njerëzve e kanë keqkuptuar paksa. Kurrë nuk vendosa kundër Zvicrës, jam shumë mirënjohës. Kam qenë në të gjitha grupmoshat, e di çfarë do të thotë, edhe ti e di, ke qenë kampion i botës me Zvicrën, ta veshësh fanellën është nder i madh sepse e përfaqëson Zvicrën”, u shpreh Kaçuri.
Ai pranoi se ftesa nga selektori Franco Foda për t'iu bashkuar Dardanëve në Ligën e Kombeve e vendosi përpara një udhëkryqi të rëndësishëm profesional. Megjithatë, mesfushori preferoi të mos nxitohej, duke u këshilluar paraprakisht me rrethin e tij më të ngushtë familjar dhe partneren.
“Kam luajtur për U21, tani jam 22-vjeç dhe kur erdhi thirrja nga Franco Foda, që thotë ‘Po të marrë në Ligën e Kombeve me Kosovën se mund të luash’. Kuptohet, nuk e mora vendimin menjëherë, sepse më duhet të mendoja, të diskutoja me të dashurën, familjen, doja të konsideroja gjithçka”, tregoi ai.
Në fund, vendimmarrja doli të ishte e natyrshme, pasi thirrja e gjakut dhe rrënjëve doli të ishte vendimtare. Prindërit e tij kanë lindur e janë rritur në Kosovë, ndërsa vetë Kaçuri e viziton atdheun e tij çdo vit.
“Nuk ishte vendim i shpejtë, por sa herë që mendoja ditë e natë, ndjenjat, zemra më thoshte shko te Kosova. Pastaj, kam shumë familjarë aty, prindërit u lindën, u rritën aty. Unë shkoj çdo vit në Kosovë, prandaj edhe doja ta merrja këtë vendim”, shtoi mesfushori.
Gjatë kësaj bisede, Kaçuri nuk la pa përmendur as potencialin e madh që zotëron Kombëtarja e Kosovës, duke e vlerësuar lart grupin e lojtarëve që ka nën urdhra Franco Foda.
“Siç thashë, nuk vendosa kurrë kundër Zvicrës, por thjesht në favor të Kosovës. Është e rëndësishme që e thashë, sepse gjithnjë jam keqkuptuar. Vërtet marr shumë mesazhe në Instagram, përfshirë komentet e të tjerëve. Por, nuk vendosa kundër tyre, mirëpo për Kosovën”, theksoi ai.
“Kosova tani ka një skuadër të madhe. Mënyra se si luajtëm ndaj Austrisë, për shembull, ose në përgjithësi në Ligën e Kombeve, kuptohet loja e dytë nuk ishte e mirë, por cilësia që kemi është ‘wow’”, u shpreh me entuziazëm Kaçuri.
Më tej, ai veçoi disa prej talentëve kosovarë që po shkëlqejnë në kampionatet elitare evropiane, duke përmendur emra si Fisnik Asllani, Avdullahu, Hajdari dhe Mërgim Vojvoda.
“Lojtarë si Fisnik Asllani, sezonin e kaluar ndër më të mirët në Bundesliga, lojtarë si Avdullahu dhe Hajdari që luajnë në Bundesliga. Vojvoda që luajti te Como dhe tani është te Udinese. Është brutale dhe gjithnjë po bëhet më mirë, sepse gjithmonë po ka më shumë lojtarë që po vijnë për Kosovën dhe do ta kenë më të vështirë të gjithë kundërshtarët të luajnë ndaj nesh”, deklaroi ai.
Në përmbyllje të prononcimit, mesfushori u shpreh jashtëzakonisht i lumtur me zgjedhjen e bërë, duke shpresuar në sa më shumë hapësira dhe kontribut të vlefshëm me fanellën e kombëtares.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: