Sport
Demonstrim force i Flamurtarit, vlonjatet mposhtin Tiranën dhe marrin kreun e renditjes
Reklamë e Sponsorizuar
Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka hapur siparin e javës së gjashtë me një duel të dominuar plotësisht nga skuadra e Flamurtarit, e cila ka konfirmuar edhe një herë ambiciet e saj për titull.
Në përballjen direkte të zhvilluar në pallatin e sportit “Farie Hoti”, vajzat nga Vlora kanë arritur një fitore të thellë ndaj Tiranës me rezultatin 56-97, duke i shkaktuar kryeqytetaseve humbjen e parë sezonale dhe duke rrëmbyer vendin e parë në tabelën e klasifikimit.
Me një organikë të përbërë të tërën nga lojtare amerikane, skuadra bregdetare e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke e mbyllur periodën e parë në favor të saj me shifrat 11-22.
Rritja e ritmit në çerekun e dytë solli një dominim edhe më të madh të mikeve, të cilat fituan fraksionin me rezultatin 13-27, për t'u drejtuar drejt dhomave të zhveshjes me një epërsi të konsoliduar prej 24-49. Edhe pse Tirana pati një reagim dhe përmirësim të lehtë në periodën e tretë duke fituar 20-15, avantazhi i vlonjateve nuk u vu asnjëherë në rrezik, ku pas 30 minutash lojë rezultati shënonte 44-64.
Dhjetëminutëshi i fundit shërbeu kryesisht për statistikë, me Flamurtarin që shpërtheu sërish në sulm duke fituar bindshëm 12-33 dhe vulosur një sukses të merituar me plot 41 pikë diferencë. Nya Morris ishte protagonistja absolute dhe MVP e takimit, duke udhëhequr Flamurtarin drejt kësaj fitores madhështore me 43 pikë, 7 kërcime dhe 8 asistime, ndërsa te bardheblutë u dallua Naijyah Pack-Maddox me 24 pikë dhe 6 kërcime.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: