Kronikë
Skandali me pronat në Prishtinë: Arrest shtëpiak për zyrtarin e Arkivit, dyshohet për falsifikim dokumentesh
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për një muaj ndaj Mehdi Bahtirit, zyrtar në Arkivin Ndërkomunal, i cili po hetohet nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
Ndonëse Prokuroria Themelore kishte kërkuar caktimin e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se arresti shtëpiak është masë e mjaftueshme për të garantuar mbarëvajtjen e procesit hetimor dhe për të parandaluar përsëritjen e veprës penale. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Stacioni Policor i Lipjanit, ndërsa gjykata ka paralajmëruar se çdo shkelje e kësaj mase do të rezultojë në ashpërsimin e saj me paraburgim. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Sipas dosjes hetimore, rasti ka të bëjë me tjetërsimin e tri parcelave në Prishtinë, të cilat përmes dokumenteve të falsifikuara kanë kaluar nga pronësia shtetërore në atë private. Dyshohet se më 24 shkurt 2023, Bahtiri ka lëshuar një shkresë zyrtare duke konfirmuar si autentik një dokument në gjuhën serbe të vitit 1997, që i referohej një vendimi të vitit 1954, dokument ky që më vonë rezultoi inekzistent në arkivat shtetërore.
Ky vërtetim i lëshuar nga zyrtari në fjalë u shfrytëzua nga Nebojsha Janjiq për të regjistruar pronat në emër të tij në Kadastër dhe për të ndjekur procedurat gjyqësore deri në instancat më të larta. Pas këtij veprimi, dy nga parcelat në zonën e Matiçanit u ndanë në 47 njësi të reja dhe u transferuan te persona të tjerë, ndërsa një parcelë mbetet ende në emër të Janjiqit, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Organet e ndjekjes dyshojnë se ky nuk është një rast i izoluar, pasi po hetohen edhe dy raste të tjera të ngjashme. Gjatë deklarimit në polici, Bahtiri i ka mohuar akuzat. Lidhur me këtë situatë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sqaroi se i dyshuari është punonjës i Arkivit Ndërkomunal, institucion që është nën varësinë e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: