Politikë
RMV: Nis shqyrtimi parlamentar i buxhetit për vitin 2027 me mbi 300 amendamente në tryezë
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Parlamentar për Financat dhe Buxhetin ka hyrë në fazën e shqyrtimit të leximit të dytë për Propozim-buxhetin e vitit 2027. Ky proces diskutimi është parashikuar të zgjasë dhjetë ditë, periudhë gjatë së cilës deputetët dhe palët e autorizuara kanë dorëzuar më shumë se 300 amendamente.
Sipas agjendës së miratuar për këtë komision, nga dhjetë ditët e debatit, katër të parat do t'i kushtohen diskutimit të përgjithshëm, ndërsa gjashtë ditët e mbetura do të përdoren ekskluzivisht për shqyrtimin e amendamenteve të dorëzuara nga propozuesit e autorizuar.
Në projekt-dokumentin financiar, të ardhurat janë llogaritur në shifrën e 395.4 miliardë denarëve, që paraqet një rritje prej 5.7 për qind në raport me vitin paraprak 2026. Nga ana tjetër, shpenzimet janë projektuar në 440.4 miliardë denarë, duke shënuar një rritje prej 4.8 për qind. Mungesa buxhetore ose deficiti është parashikuar në nivelin e 45 miliardë denarëve, respektivisht 3.5 për qind të Prodhimit Brendshëm Bruto, konform përcaktimeve të Strategjisë Fiskale 2027–2031.
Në strukturën e këtij buxheti, investimet kapitale kapin vlerën e 40.8 miliardë denarëve, ndërsa të ardhurat nga taksat parashikohen të arrijnë në 223.1 miliardë denarë, duke reflektuar një ngritje prej 6.4 për qind. Për fondin e transfertave sociale janë ndarë 220.8 miliardë denarë, ku pjesën më të madhe e zënë pensionet me 123.8 miliardë denarë, rritje kjo e cila vjen si pasojë e harmonizimit ligjor.
Gjatë vitit 2027, shteti do të duhet të shlyejë detyrime të vjetra borxhi në vlerë prej 124.6 miliardë denarë, ku 46.5 miliardë i takojnë shlyerjes së detyrimeve të jashtme, duke përfshirë edhe eurobondin prej 500 milionë eurosh të lëshuar në vitin 2023. Për mbulimin e deficitit dhe shlyerjen e detyrimeve ekzistuese, autoritetet planifikojnë huamarrje të brendshme prej 36.3 miliardë denarë, 60 miliardë denarë shtesë për mbulimin e letrave qeveritare njëvjeçare që vijnë për shlyerje, si dhe një huamarrje të jashtme prej 86.8 miliardë denarësh.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: