Kronikë
Debati për mykun në banesë merr fund përmes armëve: Mjeku ekzekuton menaxherin, plagos katër persona dhe vret veten në SHBA
Reklamë e Sponsorizuar
Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë me armë zjarri e regjistruar në Uashington DC, e cila dyshohet se ka nisur si pasojë e një konflikti të vazhdueshëm mes një banori dhe administratës së pallatit. Një mjek, i cili ishte përfshirë në mosmarrëveshje lidhur me praninë e mykut dhe probleme të tjera në apartamentin e tij, ka hapur zjarr duke lënë të vdekur menaxherin e ndërtesës, duke plagosur katër persona të tjerë dhe në fund i ka dhënë fund jetës së tij.
Si pasojë e të shtënave, menaxheri i pallatit, James Stuart, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa katër të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitaleve të zonës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas autoriteteve policore, incidenti tragjik ka nisur brenda palestrës së një kompleks banimi në lagjen Logan Circle. Autori i dyshuar është identifikuar si 55-vjeçari Matt Wade Lambert, me profesion mjek, i cili u gjet i pajetë me një plagë armë zjarri të shkaktuar vetë.
Hetimet paraprake tregojnë se pasi ka qëlluar brenda mjediseve të palestrës, sulmuesi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka vazhduar të qëllojë drejt katër viktimave të tjera që ndodheshin në katin përdhes, duke përdorur ballkonin e banesës së tij të vendosur në katin e shtatë të ndërtesës.
Forcat e rendit bënë të ditur se një prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që ende po verifikohet natyra e marrëdhënies së autorit me personat e tjerë të lënduar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit, policia ka sekuestruar tre armë zjarri, të cilat rezulton se janë përdorur prej tij gjatë sulmit të armatosur të së enjtes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: