Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

Putini propozon “mision humanitar” në Kostjantinivka, Kievi bën thirrje për kujdes

Redaksia Lajmetereja • 13-11-2026 07:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Putini propozon “mision humanitar” në Kostjantinivka, Kievi bën thirrje për kujdes
Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u takuan të enjten me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë. Takimi i tyre rreth dyorësh u zhvillua pas dy ditësh bisedime në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës diskutuan mundësitë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Gjatë takimit me të dërguarit amerikanë, Putin tha se prania e trupave të huaja në Ukrainë është e papranueshme, duke shtuar se zhvendosja e tyre e mundshme do të përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë, raportojnë mediat. Putin propozoi gjithashtu që, përvoja e suksesshme në trajtimin e situatës humanitare në Oleshki, të zbatohet edhe në qytetin e Kostjantinivkës, një pikë e rëndësishme e mbrojtjes për Ukrainën, në rajonin e Donjeckut, ku po zhvillohen luftime të ashpra. Ai shtoi se Rusia do të garantonte sigurinë dhe se do të nevojiteshin pesë ditë për çminimin e zonës. Zyra presidenciale e Ukrainës reagoi ndaj propozimit të Putinit për “misionin humanitar” në Kostjantinivka, duke thënë se Rusia kishte shfrytëzuar një operacion të ngjashëm në Oleshki, nën pushtimin rus, për të futur pajisje ushtarake dhe për të ndërruar trupat. Ajo shtoi se nevojitet qartësimi i hollësive të këtij propozimi. Takimi i 12 nëntorit është i dhjeti mes Witkoffit dhe Putinit, ndërsa Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës, pavarësisht se ka pak shenja të gatishmërisë për kompromis lidhur me çështjet kryesore që ndajnë Moskën dhe Kievin. Bisedimet po zhvillohen në një kohë kur sulmet ruse vazhdojnë të shkaktojnë vdekjen e civilëve dhe dëmtimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Ndërkohë, Kievi thotë se janë rikthyer ndërprerjet në sistemin amerikan të komunikimit satelitor, Starshield, të cilat rrezikojnë të pengojnë mbrojtjen e Ukrainës nga sulmet ajrore. Witkoff dhe Kushner janë ndër negociatorët kryesorë amerikanë për përfundimin e luftës, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vendosur ndër prioritetet e politikës së tij të jashtme që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025. Pas takimit me Putinin, dy të dërguarit pritet të udhëtojnë për në Dublin, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zelensky ka mbërritur më herët në Irlandë për një takim me udhëheqësit evropianë. Bisedimet e zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi duket se kanë sjellë pak rezultate. Palët po përgatiten për një shkëmbim të madh të të burgosurve, por nuk ka pasur ndonjë përparim të dukshëm drejt një marrëveshjeje paqeje. Zyrtarët amerikanë i përshkruan negociatat si të vështira, por produktive. Megjithatë, dallimet mes Moskës dhe Kievit mbeten të mëdha, ndërsa Kremlini nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesat e tij. Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, i cili ka udhëhequr edhe bisedimet me Ukrainën në vitet 2022 dhe 2025, tha se shkëmbimi i territoreve si pjesë e një marrëveshjeje paqeje nuk është i pranueshëm. Rusia ka kërkuar prej vitesh që çdo marrëveshje paqeje t’i japë asaj kontroll të plotë mbi rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës, të cilin forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë tërësisht. Çështja e territoreve mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e paqes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar