Politikë
Ligji për Specialen rikthehet sot në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Kuvendi i Kosovës pritet ta vazhdojë sot, në orën 11:00, seancën plenare, ku në rend dite është votimi për rishqyrtimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Seanca e djeshme ishte ndërprerë dhe shtyrë për sot, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë pas pauzës.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka ngritur shqetësime serioze lidhur me votimin e mundshëm të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili pritet të shqyrtohet në seancën e sotme.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se ndryshimet e propozuara mund të bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me parimet themelore të sundimit të ligjit.
“Ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Tutje, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se që nga momenti kur ligji është kthyer në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, është angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë autoriteteve kosovare shqetësimet dhe pritshmëritë e tij.
Sipas BE-së, një nga kërkesat kryesore është zhvillimi i konsultimeve paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me votimin e mundshëm të ndryshimeve ligjore.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me mundësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj për mundësinë e votimit të Ligjit për Specialen gjatë seancës së sotme.
Në reagimin e saj, ambasada italiane ka theksuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket zotimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimit të parimeve të sundimit të ligjit.
“Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrenë shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada e Italisë ka theksuar gjithashtu se konsultimet paraprake janë të domosdoshme përpara çdo miratimi të ndryshimeve ligjore, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji aktual nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Për këtë çështje ka folur edhe komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila të martën e javës së kaluar, gjatë prezantimit të raportit të progresit, ka deklaruar se Kosova, edhe me miratimin e ndryshimeve ligjore për Gjykatën Speciale, ka krijuar pengesa në procesin e integrimit evropian.
Ajo ka theksuar se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj edhe në raport me këtë çështje, duke bërë të ditur se Bashkimi Evropian është në bisedime me Qeverinë e Kosovës lidhur me ligjin.
Ndërkohë, Ligji për Specialen është përfshirë në rendin e ditës së seancës së sotme me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbështesin votimin për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula ndaj Ligjit për Specialen.
Gjatë seancës së djeshme, Çitaku ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme që menjëherë pas votimit të nisë një proces të ri ligjor, duke u zotuar se të hënën do të paraqesë nismën e re dhe se ndryshimet në ligj do të bëhen brenda dy javësh.
“Kërkoj që ta miratojmë ligjin sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi, për të treguar seriozitet, t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku.
Meqenëse seanca e djeshme nuk arriti të vazhdojë deri në përfundim, të gjitha pikat e mbetura të rendit të ditës pritet të shqyrtohen gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: