Politikë
Mister me delegacionin nga Somalia: Nëntë zyrtarë zhduken pa gjurmë nga Prishtina, MPJD kërkon sqarime urgjente
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) i është drejtuar zyrtarisht qeverisë somaleze me një kërkesë urgjente për informacion, pas zhdukjes së nëntë anëtarëve të një delegacioni zyrtar që kishte ardhur për vizitë në Kosovë në fund të muajit tetor.
Në një notë verbale me numër reference 4868-561/26, të datës 30 tetor 2026, diplomacia kosovare ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me rrethanat e largimit të këtyre personave. Dokumenti zyrtar thekson se, përkundër përpjekjeve të Protokollit Shtetëror, vendndodhja dhe gjendja e tyre mbeten krejtësisht të pasigurta, duke hedhur dyshime nëse ata ndodhen ende brenda territorit të Kosovës.
Delegacioni somalez kishte zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më 25 tetor 2026, rreth orës 19:45, përmes linjës ajrore “Turkish Airlines”. Grupi kryesohej nga Said Mohamed Mohamud, ministër shtetëror për Punët Publike, Banimin dhe Rindërtimin, dhe Fartuun Abdikadir Farah, zëvendësministre e Porteve, të cilët shoqëroheshin nga nëntë anëtarë të tjerë të delegacionit.
Sipas informacioneve të MPJD-së, më 28 tetor, ndërsa po bëheshin përgatitjet për kthimin e delegacionit, Protokolli Shtetëror u njoftua se nëntë anëtarët shoqërues kishin braktisur vendqëndrimin e tyre në një resort vilash në periferi të Prishtinës që nga mbrëmja e 27 tetorit, rreth orës 19:10. Ata janë larguar në mënyrë të pautorizuar dhe pa njoftuar stafin përgjegjës që duhej t'i asistonte gjatë qëndrimit.
Ndonëse ekzistojnë indicie se këta persona mund të jenë përpjekur të udhëtojnë drejt një destinacioni tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka asnjë provë konkrete për daljen e tyre nga vendi. Përpjekjet e protokollit për të marrë sqarime nga krerët e delegacionit nuk kanë dhënë rezultate, pasi nuk u ofrua asnjë informacion mbi fatin e nëntë personave.
Në kohën kur grupi duhej të nisej nga Kosova, ministri Mohamud dhe zëvendësministrja Farah u larguan nga vendi sipas itinerarit të planifikuar, mirëpo nëntë anëtarët e tjerë nuk u paraqitën kurrë në terminalin VIP të aeroportit. Përballë kësaj situate të paqartë diplomatike, Prishtina zyrtare ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Somalisë që të ofrojë përgjigje të menjëhershme lidhur me këtë rast.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: