Politikë
Gjenden mbetje mortore në Brod, pritet identifikimi përmes ADN-së
Reklamë e Sponsorizuar
Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë gërmimeve që po zhvillohen në kuadër të kërkimeve për personat e zhdukur me dhunë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se mbetjet mortore janë zbuluar më 12 nëntor 2026, ndërsa ato do t'u nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim.
Sipas njoftimit, aktivitetet e kërkimit në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Megjithatë, gjatë gërmimeve të para nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, të cilat kishin vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.
Pas vazhdimit të kërkimeve, ekipet në terren kanë arritur të gjejnë mbetje mortore, identiteti i të cilave ende nuk dihet.
Operacioni është zhvilluar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me mbështetjen e Prokurorisë, Departamenti për Krime Lufte.
Komisioni ka bërë të ditur se trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me institucionet përgjegjëse të Kroacisë për personat e zhdukur gjatë luftës.
Po ashtu, në identifikimin e lokacionit kanë kontribuar familjarët e personave të zhdukur, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarë që kanë ofruar informacione të rëndësishme.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka falënderuar institucionet dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke ritheksuar përkushtimin për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur me dhunë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: